Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shein nën hetim të BE-së për prodhim të kukullave seksi që kanë pamje fëminore

QIKA 25.2.2026

Bashkimi Evropian ka nisur një hetim zyrtar ndaj Shein, kompani e modës së shpejtë, për shkelje të mundshme të ligjit digjital, përfshirë shitjen e kukullave seksi me pamje fëminore.

Komisioni Evropian tha se do të shqyrtojë se çfarë sistemesh ka vendosur kompania kineze për të parandaluar shitjen e produkteve të paligjshme, “përfshirë përmbajtje që mund të përbëjë material të abuzimit seksual të fëmijëve”.

KE gjithashtu do të hetojë “dizajnin që sjellë varësi” të platformës së Shein dhe transparencën e sistemit që përdor për t’u sugjeruar blerësve produkte dhe përmbajtje, raporton BBC. 

Shein ka thënë se “Mbrojtja e të miturve dhe ulja e rrezikut nga përmbajtjet dhe sjelljet e dëmshme janë thelbësore për mënyrën se si ne e zhvillojmë dhe e operojmë platformën tonë”.

Vitin e kaluar, Shein u raportua tek autoritetet franceze për shitjen e “kukullave seksi me pamje fëminore” në faqen e saj të internetit.

Kompania tha se i hoqi menjëherë produktet, ndaloi shitësit nga platforma dhe fshiu shitjen e kukullave seksi “pavarësisht pamjes” në të gjithë platformën e saj globale. Ajo gjithashtu deklaroi se bashkëpunoi me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në hetimet ndaj blerësve dhe shitësve të këtyre kukullave.

KE tha se do të hetojë sistemet që Shein përdor për të kufizuar shitjen e produkteve të paligjshme, kjo do të përfshijë edhe armët, por nuk specifikoi artikuj të veçantë.

Sipas Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), Shein duhet të zbulojë parametrat kryesorë që përdor për rekomandimin e produkteve dhe duhet t’u ofrojë përdoruesve “të paktën një opsion lehtësisht të qasshëm” që nuk bazohet në përdorimin e të dhënave të tyre për profilizimin e blerjeve të mundshme.

Hapja e një hetimi zyrtar ndaj një kompanie nënkupton se KE-ja mund të ndërmarrë masa zbatimi, si gjoba deri në 6% të të ardhurave globale të kompanisë. Sipas të dhënave më të fundit, Shein raportoi 38 miliardë dollarë shitje për vitin 2024.

Një zëdhënës i Shein tha se “Gjatë muajve të fundit, ne kemi vazhduar të investojmë ndjeshëm në masa për të forcuar përputhshmërinë tonë me DSA-në. Këto përfshijnë vlerësime gjithëpërfshirëse të rreziqeve sistemike dhe korniza zbutëse, mbrojtje të përforcuara për përdoruesit e rinj, si dhe punë të vazhdueshme për të dizajnuar shërbimet tona në mënyra që promovojnë një përvojë të sigurt dhe të besueshme për përdoruesit”.