Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë, një studim i ri ka zbuluar nivele të larta të vështirësive shëndetësore te nënat, së bashku me vështirësi në balancimin mes punës dhe jetës private, si dhe penalizime në karrierë.
Sipas OBSH-së, në mbarë botën, rreth 10% e grave shtatzëna dhe 13% e grave që sapo kanë lindur fillojnë të përjetojnë probleme me shëndetin mendor, veçanërisht me depresionin. Studimi i Make Mothers Matter, që përfshiu gati 10,000 nëna në 12 vende të Evropës, zbuloi se më shumë se gjysma e nënave që morën pjesë në anketë thanë se ndiheshin të mbingarkuara mentalisht, kurse gjatë vitit të fundit, gjysma raportuan ankth, 20% depresion dhe 18% ngarkesë emocionale (burnout), raporton the Guardian.
“Gjetjet tregojnë se presioni mbi shëndetin mendor është normë, jo përjashtim, posaqërisht për nënat me fëmijë të vegjël, me disa fëmijë, me të ardhura të ulëta ose që janë nënë vetëushqyese. Megjithatë, kujdesi gjatë fëmijërisë së hershme është një nga përcaktuesit më të fuqishëm të shëndetit dhe mirëqenies gjatë gjithë jetës”, thotë Dr. Natasha Azzopardi-Muscat, drejtoreshë e sistemeve shëndetësore në OBSH/Evropë.
“Shëndeti mendor i nënave po përkeqësohet sepse ato përballen me sfida të mëdha, shumë shpesh pa mbështetje dhe, thelbësisht, sepse politikat nuk po ecin në hap me realitetin. Nuk mund t’u ngarkosh grave presionin e punës, përgjegjësitë e kujdesit, norma dhe role gjinore, ndërkohë që redukton mbështetjen sociale, dhe pastaj të habitesh kur atyre iu rritet ankthi dhe depresioni”, thotë Ann-Katrin Orr, zyrtare e politikave në Mental Health Europe.
Një studim i vitit 2024 në Zvicër zbuloi se pas lindjes së fëmijës së parë, pati rritje prej 50% të përdorimit të antidresantëve krahasuar me periudhën para lindjes dhe një rritje prej 75% deri në ditëlindjen e gjashtë të fëmijës.
Në 12 vendet e përfshira në studim, më shumë se një e katërta e nënave thanë se të pasurit një fëmijë kishte ndikuar negativisht në karrierën e tyre, përqindje që rritet në rreth një e treta e nënave në Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.
6% e të anketuarave thanë se ishin larguar nga puna ose ishin detyruar të largoheshin nga puna për shkak të shtatzënisë ose faktit se ishin bërë nëna.
Të qenit nënë pati gjithashtu një ndikim negativ në aplikimin për punë, me 16% që thanë se ndiheshin të diskriminuara gjatë procesit të rekrutimit dhe 30% që thanë se mundësitë e tyre për avancim ishin kufizuar.
Po ashtu, për shumë nga të anketuarat, kombinimi i kujdesit në shtëpi dhe punës rezulton i papërballueshëm, me nënat që shpesh mbajnë të vetme barrën kryesore të punëve të shtëpisë.
Studimi zbuloi se vetëm rreth një e treta e grave të anketuara kishin një kthim gradual në punë pas lindjes së fëmijëve dhe më pak se gjysma kishin orar të rregullt të punës.
“Mbështetja për shëndetin mendor duhet të jetë pjesë përbërëse dhe pa stigmatizim e kujdesit para dhe pas lindjes, ndërsa mjediset sociale dhe të punës duhet të jenë mbështetëse dhe fleksibile për të gjitha nënat”, shton Dr. Alain Gregoire, president nderi i Maternal Mental Alliance UK.