Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shkencëtarët kanë gjetur prezencë të metaleve të rënda në tamponë

QIKA 15.7.2024

Një studim i ri i kryer nga Shkolla e Shëndetit Publik të UC Berkeley ka identifikuar praninë e 16 metaleve të rënda në tamponë nga 14 marka të ndryshme.

Hulumtimi, i botuar në revistën Environment International, ka gjetur prani në nivele të caktuara të metaleve të rënda si arseniku, bariumi, kalciumi, kadmiumi, kobalti, kromi, bakri, hekuri, mangani, merkur, nikel, plumb, selen, stroncium, vanadium dhe zink. “I kemi gjetur të gjitha 16 metalet për të cilat testuam në të paktën një tampon, por nuk i gjetëm të gjitha 16 metalet në të gjithë tamponët. Megjithatë, gjetëm plumb në 100% të tamponëve që testuam – kjo ishte vërtet befasuese për mua”, tha Jenni A. Shearston studiuese postdoktrale në UC Berkeley dhe autorja e parë e këtij studimi.

Sipas studimit, mbi 100 milionë gra në mbi 120 vende përdorin tamponë gjatë ciklit menstrual. Shumica e tamponëve bëhen nga pambuku dhe/ose pëlhura, të cilat kanë natyrë bimore dhe potencial të lartë që të ekspozohen ndaj ndotjes me metale të rënda në tokë.

Ekspertët thanë se diskutimi më i rëndësishëm është nëse metalet në tampon mund të absorbohen në trup përmes vaginës – për çka ka pak hulumtime. “Tamponët kanë për qëllim të thithin nga ne. Unë nuk mendoj se ka ndonjë provë që trupi thith diçka prej tyre” tha Dr. Bannow, e cila ka studiuar përthithjen e tamponit, teksa shtoi se megjithatë një studim që teston drejtpërdrejtë përthithjen e mundshme duhet të bëhet, shkruan New York Times.

Sa i përket metaleve toksike, sasitë e zbuluara ishin shumë të ulëta, tha Dr. Jennifer Lincoln, një gjinekologe me bazë në Portland, por Dr. Shruthi Mahalingaiah, një gjinekologe dhe profesore asistente e shëndetit mjedisor, riprodhues dhe të grave në Universitetin e Harvardit, tha se duke pasur parasysh se shumë gra përdorin tampona disa ditë në muaj për dekada dhe ekspozimi kumulativ mund të jetë shkak për shqetësim.

Hulumtim ka ngjallur shqetësim te gratë por pasojat konkrete po vazhdojnë të studiohen. Nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar se çfarë rreziku, nëse ka, paraqesin metalet e gjetura në tamponë për shëndetin e grave. Tani për tani, Dr. Kioumourtzoglou tha, “këto rezultate nuk janë arsye për panik.”