Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shtetet e BE-së duhet të njohin martesat e të njëjtit seks

QIKA 4.12.2025

Shtetet e Bashkimit Evropian duhet të njohin martesat e ligjshme mes personave të të njëjtit seks të cilat janë kryer në shtete të tjera anëtare të BE-së, sipas një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED).

Para këtij vendimi, një vend ku martesat mes individëve të të njëjtit seks janë të paligjshme mund të refuzonte të njihte një martesë edhe nëse ajo ishte kryer në një vend tjetër ku martesa mes seksit të njëjtë është e ligjshme.

Ky vendim u morr pasi çështja iu paraqit gjykatës së lartë evropiane me seli në Luksemburg pasi Polonia refuzoi kërkesën për njohjen e certifikatës së martesës së një çift polak që ishin martuar në Berlin të Gjermanisë, ku njihet martesa e personave të të njëjtit seks.

“Refuzimi i njohjes së një martese mes dy qytetarëve të Bashkimit Evropian është në kundërshtim me të drejtën e BE-së, sepse cenon lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare,” thuhet në vendimin e GJED-së.

Ata ia dorëzuan qeverisë polake certifikatën e martesës, e cila ishte në gjermanisht, për t’u transkriptuar dhe njohur në regjistrin civil polak. Qeveria polake e refuzoi kërkesën e tyre, pasi vendi nuk i njeh martesat e personave të të njëjtit seks, shkruan LGBTQ Nation.

“Bashkëshortët në fjalë, si qytetarë të BE-së, gëzojnë lirinë për të lëvizur dhe për të jetuar në territorin e shteteve anëtare, si dhe të drejtën për të jetuar një jetë normale familjare gjatë ushtrimit të kësaj lirie dhe pas kthimit në shtetin e tyre të origjinës,” u shpreh gjykata.

Gjykata sqaroi se ky vendim nuk i obligon shtetet anëtare të legalizojnë martesat mes personave të të njëjtit seks në legjislacionin e tyre kombëtar, por vetëm që martesat e kryera në vendet e tjera të BE-së të njihen, pavarësisht nga shtetësia e personave të përfshirë.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, vetëm 18 e kanë legalizuar martesën e personave të të njëjtit seks.