Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shumë nëna në Senegal ndihen të detyruara të vrasin foshnjat e tyre

QIKA 3.8.2021

Mbeubeuss është një nga varrezat më të mëdha të hapura të Senegalit për fëmijët e vrarë. Në tre vitet e fundit, trupat e 32 foshnjave janë nxjerrë nga aty nga grumbulluesit e mbeturinave që punojnë aty. Duke parë shkallën e lartë të vrasjes së foshnjave në Senegal, duket se arsyet kryesore për këtë janë turpi për shtatzëninë jashtë martesës dhe humbja e mbështetjes tradicionale për gratë e reja.

Konservatorizmi fetar, vështirësitë ekonomike dhe mungesa e qasjes në kontracepsion e edukim seksual në Senegal po i lënë shumë gra të ndihen të izoluara. Në të kaluarën, vajzat mund t’i drejtoheshin la Badiane – tezja e tyre më e madhe – e cila do t’i mësonte për seksin dhe kontracepsionin ndërsa ato i afroheshin pubertetit.

Duke folur me disa nga gratë që janë burgosur për vrasjen e foshnjave dhe duke fotografuar punën që po bëhet në burgje nga OJQ -ja Tostan, e cila synon të trajnojë sa më shumë gra përmes punëtorive në mënyrë që të burgosurat të kenë të ardhura pas lirimit të tyre, duket qartë humbja e asaj tradite ka filluar.

“Këtu, të kesh një fëmijë jashtë martese është diçka serioze dhe shikohet shumë negativisht nga shoqëria. Gratë që gjenden në këtë situatë preferojnë të mbysin fëmijën sesa të pësojnë presionin nga shoqëria”, thotë Imam Mbaye Niang, një deputete në asamblenë kombëtare të Senegalit.

Pouponnière në Dakar u themelua në 1955, për të ndihmuar spitalet e mbingarkuara dhe poashtu siguron kujdes për foshnjat e braktisura ose jetime. E drejtuar nga murgesha katolike romake, qendra është kujdesur për 4,150 foshnje; 3,496 prej të cilëve ishin jetimë, 550 u adoptuan ose ishin në proces adoptimi dhe 104 kanë vdekur. Sot, Pouponnière kujdeset për rreth 86 fëmijë në vit, megjithëse pak gra senegaleze rurale e dinë që ekziston një vend i tillë, raporton The Guardian.

Fatima* është 40 vjeçare. Ajo shërbeu pesë vjet burg për vrasjen e vajzës së saj të porsalindur dhe historia e saj është mjaft e njohur. Në komunitetin e saj të vogël fetar në një ishull në jug të Senegalit, ajo ra në dashuri dhe në moshën 18 vjeç ishte shtatzënë dhe e pamartuar. Me gjithë presionin e jashtëm dhe stigmën, ajo vendosi ta mbante fëmijën. Ajo thotë se ajo dhe djali i saj kanë përjetuar abuzime të përditshme në komunitetin e tyre

Në Dakar ajo takoi një burrë dhe mbeti përsëri shtatzënë. Ajo nuk di të lexojë ose shkruajë dhe paguhet më pak se 1£ në ditë. Nga frika për jetën e saj dhe jetën e fëmijës së saj, ajo fshehu shtatzëninë e saj dhe kur fëmija lindi i vdekur, ajo e hodhi trupin. Sot ajo jeton e fshehur në pyll dhe  me ndihmën e Tostan bën lëng frutash dhe rrit pula.