Sondazhi i editorialit “Nature” për Ditën Ndërkombëtare të Gruas shtroi dy pyetje të thjeshta: çfarë do të vlerësonin lexueset sa i përket grave në shkencë dhe çfarë veprimi prioritar do të rekomandonin të anketuarit për të arritur barazinë gjinore në shkencë?
Artikulli i botuar me 8 mars u shkrua nga studiuese me ndikim të madh, ku ato dhanë mendimet e tyre për gjërat që do vlerësonin në punën e tyre. Sugjerimet e tyre varionin nga rritja e numrit të grave udhëheqëse në shkencë, tek guximi që gratë tregojnë përballë diskriminimit, deri te thyerja e barrierave që historikisht i kanë mbajtur gratë prapa.
Rezultatet nga sondazhi i lexuesve tregojnë për tema të ngjashme; këmbëngulja dhe qëndrueshmëria u shfaqën si cilësi për të festuar. “Gratë në shkencë janë në luftë për mbijetesë. Ne bëjmë punë të jashtëzakonshme, pavarësisht se duhet të humbim kohën, energjinë dhe inteligjencën tonë për të luftuar strukturat, në vendin e punës e në shoqëri, që sistematikisht i heshtin”, tha një nga të anketuarat.
Një shifër nga organizata kulturore dhe shkencore e Kombeve të Bashkuara UNESCO tregon se në nivel global rreth 130 milionë vajza midis moshës rreth 6 dhe 17 vjeç nuk ndjekin shkollën. “Ne duhet të merremi me kufizimet e vajzave në mbarë botën për të qenë të pranishme në shkollë”, tha një e anketuar.
Pyetja rreth veprimeve që duhen marrë për arritjen e barazisë gjinore gjithashtu mori shumë përgjigje të ngjashme. Shumë të anketuara thanë se rrënjosja e idesë së barazisë tek fëmijët është thelbësore në procesin e përparimit.
Shumë të anketuara folën rreth lejes prindërore si veprim të rëndësishëm në vendosjen e barazisë në vendet e punës. Ndërkaq veprimi që u përmend më së shumti në përgjigje ishte se trajtimi i hendekut gjinor në paga duhet të jetë një prioritet në arritjen e barazisë.