Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Sigurimi i ujit të pijshëm, pengesë për gratë në Indi

QIKA 9.7.2024

Grumbullimi i ujit të pijshëm është një rutinë rraskapitëse e përditshme për miliona gra në Indi. Ato ecin me kilometra të tëra çdo ditë, duke mbajtur enë plastike ose tenxhere në kokë dhe kova në duar, për të menaxhuar rezervat e ujit në shtëpi.

“Është një luftë e përditshme. Lodhëm aq shumë sa bie e rraskapitur kur mbaron dita”, thotë Sunita Bhurbade nga Tringalwadi në Mumbai. Ajo shpenzon katër deri në pesë orë çdo ditë duke udhëtuar nga burimi më i afërt i ujit të pijshëm për të mbushur enët e saj. Uji është i ndotur dhe ajo duhet të hapë vrima që uji të filtrohet natyrshëm, raporton BBC.

Kjo rutinë e përditshme, për katër deri në pesë muaj çdo vit, e pengon atë dhe gratë e tjera nga fshati i saj të kryejnë punë me pagesë. “Askush nuk më punëson si punëtore në fermë, sepse nuk më lejojnë të paraqitem në punë pasdite”, shton ajo.

Sipas një raporti të vitit 2023 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe UNICEF, 1.8 miliardë persona në nivel global grumbullojnë ujë për pije nga burime të largëta, dhe në 7 nga 10 familje, gratë dhe vajzat janë kryesisht përgjegjëse për mbledhjen e ujit. Kjo është veçanërisht e shprehur në Indi, ku nevoja për të siguruar ujë të pijshëm po i pengon gratë dhe njëkohësisht edhe rritjen ekonomike.

“Së pari, gratë nuk mund të marrin punë me pagesë sepse duhet të bëjnë punët e shtëpisë dhe së dyti nuk ka punë të mjaftueshme me pagesë për to”, thotë Prof Ashwini Deshpande, drejtor i departamentit të ekonomisë në Universitetin Ashoka të Delhi.

Vlera e punës së papaguar e grave në ekonominë indiane është e madhe. Banka Shtetërore e Indisë (SBI) tregon se kontributi i përgjithshëm i punës së papaguar tek gratë në ekonomi është rreth 22.7 miliardë rupi (255,353€), pothuajse 7.5% e PBB-së (GDP) totale të Indisë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Zhvillim gratë indiane kalojnë 150 milion ditë pune çdo vit duke mbledhur ujë.

Qeveria indiane thotë se po punon vazhdimisht për të përmirësuar infrastrukturën e ujit në mbarë vendin. Në janar 2024, ajo tha se kishte siguruar ujë me tubacione për pothuajse 74% të familjeve rurale.

Megjithatë, ka ende miliona njerëz që nuk kanë qasje në ujë të pijshëm. Rreth 700 km larg nga Tringalwadi, kryetarja e fshatit, Indrayani Javarkar, kalon pjesën më të madhe të ditës së saj duke gjetur dhe mbledhur ujë, dhe duke organizuar cisterna me ujë për fshatin e saj. “Të dyja detyrat po bëhen më të vështira çdo ditë për shkak të thatësisë gjatë verës”, thotë ajo.

Sunita Bhurbade thotë se të marrësh ujë rubineti për të është ende një ëndërr e largët. “Gratë fillojnë kur janë vetë fëmijë. Dikush u jep atyre një kovë të vogël dhe u thotë, merrni atë që mund të mbani. Dhe pastaj, është një detyrim i jetës. Derisa të vdesin, ato marrin ujë”, thotë ajo.