Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Sipas UN Women, 113 shtete nuk kanë pasur kurrë një grua në krye të vendit

QIKA 26.6.2024

Në nivel global, përfaqësimi i pamjaftueshëm i grave në vendimmarrje ende mbetet një realitet i ashpër. Pavarësisht progresit, gratë mbeten të përjashtuara nga pozitat e pushtetit, të cilat janë kryesisht të zëna nga burrat.

Një numër tronditës prej 113 shteteve në mbarë botën, nuk kanë pasur kurrë një grua në krye të shtetit apo qeverisë. Deri sot, vetëm 26 shtete udhëhiqen nga gratë. Që nga 1 janari 2024, vetëm 23% e pozitave ministrore janë të zëna nga gratë dhe në 141 vende gratë përbëjnë më pak se një të tretën e ministreve të kabinetit. Shtatë vende nuk kanë asnjë grua përfaqësuese në kabinetet e tyre.

Që nga maji 2024, gratë mbajnë 25% të pozitave si Përfaqësuese të Përhershme (duke përfaqësuar vendin në selinë e OKB-së) në New York, 35% në Gjenevë dhe 33.5% në Vjenë.

“Besimi ynë është se kur gratë udhëheqin, bota është më e mirë për të gjithë njerëzit dhe për planetin. Ndërsa shumë vende po shkojnë në votime këtë vit, të gjithë duhet të vendosim gratë në pushtet. Pjesëmarrja e barabartë e grave në qeverisje dhe udhëheqje është çelësi për përmirësimin e jetëve për të gjithë”, tha Drejtorja Ekzekutive e UN Women, Sima Bahous.

Emërimi i grave në pozita udhëheqëse sinjalizon një vullnet të fortë politik për barazinë gjinore. Këtë vit shënohet 30 vjetori i Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, plani më progresiv në botë për avancimin e të drejtave të grave, dhe UN Women vazhdon të punojë për të siguruar që gratë të përparojnë në formësimin e ndryshimeve pozitive, duke përfshirë zënien e pozitave më të larta të pushtetit.