Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT), përmes një hulumtimi gjashtë mujor ka analizuar qëndrimet e burrave të rinj (të gjeneratës Z, 15-27 vjeç) ndaj dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje, dhe femicidit në Kosovë.
“Rezultatet rreth ndërgjegjësimit dhe njohjes së asaj që konsiderohet si dhunë ndaj grave, janë më alarmueset” thuhet në raport. 51% e pjesëmarrësve konsiderojnë se ngacmimi i vazhdueshëm përmes teknologjisë nuk është asnjëherë dhunë, 45% besojnë se kontrollimi i jetës shoqërore të partneres nga burri, duke ia ndaluar të takohet me familje dhe shoqëri nuk është asnjëherë dhunë, 41% besojnë se nuk është asnjëherë dhunë nëse burri hedh apo thyen objekte për ta frikësuar gruan dhe nëse e vëzhgon lokacionin, thirrjen apo aktivitet tjera pa pëlqimin e saj.
Edhe deklaratat që përfshijnë dhunë të qartë fizike janë vlerësuar dobët: 44% e të anketuarve nuk e konsiderojnë dhunë rastin kur burri godet ose shtyn një grua për të shkaktuar dëm ose frikë, ndërsa 12% të tjerë mendojnë se është vetëm nganjëherë dhunë.
Stereotipet tradicionale gjinore janë ende të përhapura, veçanërisht në mesin e të anketuarve nga zonat jo urbane dhe atyre të moshës nën 18 vjeç.
Vihet re një tolerancë më e lartë për lidershipin e grave në vendin e punës dhe hapësirat publike, krahasuar me çështjet familjare në shtëpi, marrëdhëniet ndërgjinore dhe hapësirat private. Burrat duhet ta marrin kontrollin në lidhje dhe të jenë kryefamiljarë është pohuar nga dy të tretat e të gjithë të anketuarve (39% pajtohen plotësisht + 27% deri diku dakord). Në të njëjtën kohë, dy të pestat (20% pajtohen plotësisht + 19% disi dakord) kanë pikëpamjen se burrat, dhe jo gratë, duhet të mbajnë pozita përgjegjësie në komunitet.
15% e mostrës besojnë se gratë janë më pak logjike se burrat, ose se diskriminimi ndaj grave nuk është më problem në vendin e punës në Kosovë. Megjithatë, shumica prej tyre zgjedhin që burrat të jenë përgjegjës në shtëpi, në marrëdhënie, në vendet e punës dhe në pozitat në komunitet.
Sipas raportit të rinjtë e kuptojnë natyrën kulturore dhe shoqërore e femicidit, megjithatë vetëm 18% e respodentëve pajtohen plotësisht se gjinia është faktor kyç te rastet e femicidit.
Pavarësisht përpjekjeve, kultura e fajësimit të viktimave nuk është fshirë plotësisht nga të rinjtë. 6% pajtohen se gjithmonë ekziston një sqarim i arsyeshëm, burri dhunues zakonisht vuan nga krizat psikologjike, çrregullimet mendore, alkoolizmi, traumat nga fëmijët, 6% po ashtu besojnë se viktima grua i ka tejkaluar limitet – nuk ka qenë e dëgjueshme, ndërsa 18% ‘pajtohen plotësisht’ dhe 35% ‘deri diku pajtohen’ pajtohen se në raste të tilla të dy, edhe dhunuesi burrë edhe viktima grua duhet fajësuar njëjtë (sepse nuk kanë qenë në gjendje t’i zgjidhin problemet pa dhunë). 17% e të anketuarve duket se e ndërlidhin ose e lidhin femicidin me sjelljen e viktimës për të tradhtuar me një partner të tretë, derisa edhe 23% të tjerë janë të prirur potencialisht ta bëjnë këtë lidhje
“Të dhënat e vendosin qartë Gen Z kundër ngacmuesit seksual dhe në mbështetje të viktimës raportuese; megjithatë, kjo po ashtu sinjalizon një problem me mënyrën se si vetë Gen Z e kupton pëlqimin (konsentin)”, thuhet në raport.
Raporti “Dhuna me Bazë Gjinore përmes Këndvështrimit të Gjeneratës Z” thekson se ka nevojë urgjente për edukim sistematik dhe ndërgjegjësim të të rinjve mbi dhunën me bazë gjinore, normat gjinore dhe rëndësinë e raportimit të dhunës.
Raportin e plotë e gjeni këtu.