Policia e Mbretërisë së Bashkuar është duke provuar një teknologji të re për t’i mbajtur gratë të sigurta. Këtë po e bëjnë duke përdorur “SmartWater”, një sprej mjeko-ligjor që shfaqet vetëm nën dritën ultravjollcë. Sipas një raporti të BBC, ky lëng mjeko-ligjor qëndron në lëkurë deri në gjashtë javë kurse në rroba shumë më gjatë, dhe më pas bëhet ndërlidhja mes kryerësit të veprës me ujin specifik që është spërkatur.
Këtë ide e dha detektivja e policisë së West Yorkshire Lee Berry. Në një deklaratë për BBC, ajo tha “Abuzimi në familje është mjaft shpesh i vështirë për t’u ndjekur penalisht dhe shumë nga këto krime ndodhin pas dyerve të mbyllura. Nëse këto abuzime faktohen në mënyrë mjekësore, atëherë mund të gjurmojmë shumë më lehtë rastin. Përmes kësaj e mësojmë se kush është autori dhe kush është viktima.”
Mbi 200 grave u është dhënë një pako parandaluese mjeko-ligjore në shtëpitë e tyre. Në pako përfshihet një bombole për spërkatje, një xhel për dorezat e dyerve dhe një kurthë automatike që e spërkat lëngun nëse dikush i afrohet shtëpisë.
Shumica e viktimave, që kanë përdorur këtë, i kanë thënë policisë se ndihen më të sigurta. Gjithashtu, 94% e njerëzve thanë se do t’ua rekomandonin atë të tjerëve.
Kjo teknologji tregoi sukses në arrestimin e një personi që kishte ngacmuar ish-partneren e tij dhe po shkelte urdhrin mbrojtës. Kjo ndodhi kur ai u përpoq të futej në shtëpi të saj dhe ajo spërkati me lëngun e koduar me bombol. Kjo ndihmoi policinë mjeko-ligjore në vendin e krimit dhe personi u arrestua.