Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Spanja ndalon frikësimin dhe ngacmimin ndaj grave që abortojnë

QIKA 12.4.2022

Me anë të legjislacionit të ri, Spanja ka kriminalizuar ngacmimin ose frikësimin e grave që shkojnë për të abortuar.

Aktivistët kundër abortit që përpiqen të bindin gratë që të mos ndërpresin shtatzëninë e tyre mund të dënohen me një vit burg. Ky ligj u propozua nga Partia Socialiste e kryeministrit Pedro Sánchez dhe do të hyjë në fuqi pasi të publikohet në buletinin zyrtar shtetëror në ditët në vijim.

Në praktikë, legjislacioni kriminalizon protestat jashtë klinikave të abortit. Ky legjislacion zbatohet gjithashtu kundër ngacmimit ose frikësimit të grave nga profesionistët e kujdesit shëndetësor që punojnë në klinikat e abortit. Sipas Shoqatës së Mjekëve Organización Médica Colegial (OMC), gratë spanjolle ende përballen me pengesa të shumta me mjekët obstetër-gjinekologë në sektorin publik që refuzojnë të kryejnë procedura të tilla, raporton The Guardian.

Sipas një studimi të vitit 2018 nga ACAI, i cili përfaqëson klinikat e abortit, 89% e grave spanjolle thanë se ishin ndjerë të ngacmuara kur shkonin në klinika për abort dhe 66% thanë se ndjeheshin të kërcënuara. Qeveria e Sanchez-it po punon gjithashtu për një ligj për të siguruar që të gjitha spitalet publike do të ofrojnë aborte dhe legjislacion të mëtejshëm që do t’i lejojë 16 dhe 17-vjeçaret t’i japin fund shtatzënisë pa lejen e prindërve të tyre, siç mund të bëjnë aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë.