Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Specializantet detyrohen të punojnë pa pagesë gjatë kompensimit të lehonisë

QIKA 10.4.2026

Studentet specializante që u bënë nëna gjatë kohës së specializimit dhe kanë shfrytëzuar pushimin e lehonisë, tani janë të detyruara të kompensojnë kohën e humbur të specializimit pa pagesë. Madje, atyre nuk u paguhen as kujdestaritë 24-orëshe.

Ato detyrohen të nënshkruajnë një aneks-kontratë, sipas së cilës kompensimi i kohës së humbur bëhet me pagesë në vlerë prej 0 euro, raporton Klan Kosova

67 mjeke specializante, javën e kaluar, kanë dorëzuar një peticion në Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe pranë Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përmes së cilit këtë qasje të institucioneve e kanë cilësuar si të padrejtë dhe diskriminuese.

Sipas tyre, është e pamundur të përballohen njëkohësisht obligimet profesionale dhe përgjegjësitë personale pa u paguar për punën që kryejnë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se çështja pritet të adresohet përmes një Udhëzimi të ri Administrativ për Shkollimin Specialistik, i cili pritet të nënshkruhet javën e ardhshme.

Me praktika të ngjashme diskriminuese për shkak të amësisë, specializantet e mjekësisë janë përballur edhe më herët. Siç kujtojmë raportimin e QIKA-s, në korrik të vitit 2023, vitet e shtatzënisë dhe lehonisë të grave studente janë llogaritur si vite të humbura të shkollimit, duke bërë që ato të humbasin pikë për t’u kualifikuar për shkollim specialistik.