It’s Not A Compliment (INAC) është një grup i avokimit në Australi të cilët së fundmi kanë publikuar një raport mbi ngacmimet seksuale dhe abuzimin. Në këtë raport janë anketuar 343 respodentë të cilët kishin përjetuar ngacmime seksuale në hapësirat publike. 91.4% e të anketuarve që kanë përjetuar ngacmime në rrugë ishin gra. Shumica e grave që raportuan ngacmimet apo incidentet në rrugë u ndanë të pakënaqura me trajtimin që iu ishte bërë. Madje kishte gra të cilat ishin ndjerë të traumatizuara me përvojën e tyre në stacionin policor.
Rreth një e katërta e tyre janë gra me ngjyrë, aziatike nga Jugu dhe Lindja. Natasha Sharma, hulumtuese dhe zyrtare e politikave në INAC, pohon se të dhënat e raportit treguan se ngacmimi në rrugë nuk kishte vetëm motive seksiste por edhe raciste. “Gratë me ngjyrë, duke përfshirë gratë aziatike mund të kenë përvoja shumë të ndryshme të ngacmimit në rrugë krahasuar me gratë e bardha”, tha Sharma.
Sipas raportit të INAC ka pasur një rënie të përgjithshme të incidenteve dhe ngacmimeve në rrugë gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Megjithatë, ngacmimet vazhduan për gratë aziatike, me ç’rast komentet seksiste u zbehën duke iu lënë vend komenteve raciste. Të dhënat tregojnë se 6.1% e të anketuarve përballen me një rritje të ngacmimeve sa i përket pandemisë, shumica prej tyre janë aziatikë.
Para pandemisë më shumë se një e katërta e të anketuarve ishin ngacmuar në publik të paktën një herë në muaj.
Tani shumë shërbime policore janë trajnuar si të trajtojnë rastet e ngacmimeve seksuale si dhe të sigurojnë shërbime të specializuara sa i përket këtyre raportimeve.