Hendeku global gjinor është shumë më i madh sesa mendohej më parë, pasi raporti vjetor i Bankës Botërore merr parasysh për herë të parë çështjet e kujdesit për fëmijët dhe të sigurisë.
Sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, zbulohet se hendeku global gjinor është shumë më i madh sesa mendohej më parë. Asnjë vend në botë nuk u ofron grave të njëjtat mundësi si burrave në fuqinë punëtore, raporton The Guardian.
Në raport thuhet se nëse mbyllet ky hendek, rritja e produktit të brendshëm bruto shkon deri në më shumë se 20%.
Për herë të parë, Banka Botërore hetoi ndikimin e politikave të kujdesit dhe sigurisë për fëmijët në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës në 190 vende. Kur u morën parasysh këta dy faktorë, gratë gëzonin mesatarisht vetëm 64% të mbrojtjeve ligjore në krahasim me burrat, nga vlerësimi i mëparshëm që ishte 77%.
Autorja e raportit, Tea Trumbic, tha se çështjet e kujdesit ndaj fëmijëve dhe sigurisë ndikuan veçanërisht në aftësinë e grave për të punuar. Dhuna mund t’i pengojë fizikisht ato që të shkojnë në punë, por kostot e kujdesit për fëmijët i detyrojnë ato të tërhiqen tërësisht.
Edicioni i 10-të i raportit të grave, biznesit dhe ligjit, i publikuar të hënën, vlerësoi gjithashtu për herë të parë hendekun midis ligjeve dhe politikave të vendosura për zbatimin e tyre. Ai zbuloi se vendet kishin krijuar mesatarisht më pak se 40% të sistemeve të nevojshme për zbatimin e plotë të ligjeve.
Përderisa 95 vende miratuan ligje për paga të barabarta, vetëm 35 kishin masa për të siguruar që hendeku i pagave të adresohej. Në nivel global, gratë fitojnë vetëm 77 cent nga çdo dollar i fituar nga një burrë.
Në 81 vende, përfitimet e pensionit të një gruaje nuk llogariten për periudhat e mungesave në punë që lidhen me kujdesin ndaj fëmijëve.
Raporti gjithashtu thekson se edhe pse 151 vende kishin ligje kundër ngacmimit seksual në vendin e punës, vetëm 40 prej tyre kanë ligje që mbulojnë abuzimin në zonat publike ose në transportin publik, që do të thotë se gratë nuk mbrohen gjatë rrugës për në punë.