Si e shohim suksesin e të tjerëve? Sipas hulumtimit nga Iniciativa Përfshirëse në LSE (London School of Economics and Political Science), profesionistet gra dhe personat me ngjyrë kanë më shumë gjasa se kolegët e tyre burra dhe personat e bardhë që të shihen si me fat në arritjet e tyre dhe jo si kompetente.
Autoret theksojnë se të shihesh si me fat dhe jo si e aftë do të thotë më pak mundësi, më pak pagë dhe më pak promovime. “Fatkeqësisht, nuk jam e befasuar që gratë dhe individët me ngjyrë kanë më pak gjasa të marrin merita personale për sukseset e tyre. Tani kemi nevojë për liderë gjithëpërfshirës për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë në të ardhmen”, thotë Dr. Grace Lordan, drejtore e Iniciativës Përfshirëse në LSE.
Odessa S. Hamilton, shkencëtare e sjelljes dhe autore kryesore e hulumtimit, tha se mënyra sesi ne e shohim suksesin e të tjerëve nga grupe të ndryshme sociodemografike është një pikë kyçe për përfshirjen dhe diversitetin, veçanërisht pasi gratë dhe grupet etnike të nënpërfaqësuara vazhdojnë të jenë sistematikisht të pafavorizuara në fuqinë punëtore.
“Injorimi i këtij paragjykimi ka implikime të drejtpërdrejta te individët dhe mund të ketë efekte për suksesin e ardhshëm”, thotë ajo.
Hamilton dhe Lordan shqyrtuan hulumtimet e 50 viteve të fundit. Hulumtimi i tyre vie në përfundimin se: “Dekada kërkimesh në shkencat psikologjike dhe sociale kanë treguar se individët bëjnë gabime sistematike në atribuimet e suksesit…Ajo që ne shohim vazhdimisht është se këto paragjykime çojnë në pabarazi midis mundësive të ofruara ose të mohuara për individët, dhe kështu ato kanë implikime të rëndësishme për diversifikimin e organizatës dhe angazhimin në profesion”.