QIKA ka dorëzuar ankesë zyrtare në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) ndaj T7, për shkak të paraqitjes së gazetarit Valon Syla në emisionin “Pressing”’ pavarësisht se është person i denoncuar për dhunë në familje dhe institucionet e drejtësisë ende nuk i kanë dhënë epilog përfundimtar rastit.
Vendimi i mediumit për ta rikthyer Sylën në emision përbën jo vetëm shkelje të etikës profesionale, por edhe tendencë për të rregulluar imazhin e tij publik dhe për të vazhduar jetën në normalitet. Kjo praktikë kontribuon drejtpërdrejt në normalizimin e dhunës në familje dhe relativizimin e përmasës së saj si problem shoqëror.
Ftesa dhe rikthimi i tij në media dërgon mesazh të gabuar te viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Në përputhje me Kodin e Etikës për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës, QIKA vlerëson se emisioni në fjalë përbën shkelje të rëndë të Nenit 3, Nenit 4 dhe Nenit 5.
Prandaj kërkojmë që:
Komisioni i Pavarur i Mediave të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj T7 për shkeljen e rëndë të Kodit të Etikës.
Të kërkohet nga T7 një kërkim falje publike ndaj viktimës dhe publikut për përmbajtjen e papërshtatshme dhe të dëmshme.
Të ndërmerren masa ndëshkuese për të parandaluar përsëritjen e transmetimeve të ngjashme që kontribuojnë në normalizimin e dhunës me bazë gjinore.
QIKA rikujton se Konventa e Stambollit obligon mediat të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj përmbajtjeve që prekin gratë dhe vajzat, dhe u ndalon atyre të kontribuojnë në normalizimin apo spektakularizimin e dhunës në familje.
Photo credit: Kallxo.com