Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Tajlanda miraton martesën mes seksit të njëjtë

QIKA 19.6.2024

Ligjvënësit në Tajlandë votuan të martën me 130 vota pro dhe 4 kundër për të miratuar projektligjin që legalizon martesën mes seksit të njëjtë. Ky projektligj ka nevojë për miratimin e mbretit për t’u bërë ligj, mirëpo nënvizon statusin e Tajlandës si një strehë relativisht të sigurt në Azi për njerëzit LGBTQ+.

“Pas 20 vjet përpjekjesh për të legalizuar këtë çështje, më në fund, dashuria fiton” tha aktivistja Plaifa Kyoka Shodladd. Pas miratimit të projektligjit, qindra mbështetës u mblodhën në qendër të Bangkokut për të festuar këtë arritje.

Në disa vende të Azisë, marrëdhëniet homoseksuale janë vepër penale. Në vitin 2019, Brunei e bëri seksin mes gjinisë së njëjtë të dënueshëm me vdekje, raporton The New York Times.

Kritikët si gjenerali Worapong Sanga-Nate, thanë se legalizimi i martesës së seksit të njëjtë do të dobësonte institucionin e familjes dhe do të shkaktonte sfida logjistike në Ministrinë e Brendshme.

Projektligji i Tajlandës, i cili ndryshon Kodin Civil dhe Tregtar të vendit, e quan martesën një partneritet midis dy personave 18 vjeç e lart, pa specifikuar gjininë e tyre. Ai gjithashtu u jep çifteve LGBTQ+ të drejta të barabarta për të birësuar fëmijë, për të kërkuar lehtësira tatimore, për të trashëguar pasuri dhe për të dhënë pëlqimin për trajtim mjekësor kur partnerët e tyre janë të paaftë.

Edhe pse Tajlanda është një nga vendet më të hapura në botë për çiftet homoseksual, ajo është konservatore në mënyra të tjera. Në shkurt, ligjvënësit hodhën poshtë një propozim për t’u lejuar njerëzve të ndryshojnë gjininë në dokumentet zyrtare.

Shumica e publikut tajlandez mbështet projektligjin për barazinë martesore. Vitin e kaluar, në një sondazh të realizuar nga Pew Research Center, 60 përqind e të rriturve në Tajlandë thanë se mbështesin legalizimin e martesës së seksit të njëjtë.