Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Taksa diskriminuese për çiftet e të njëjtit seks që dëshirojnë të krijojnë familje

QIKA 16.10.2023

Çiftet e të njëjtit seks ende duhet të paguajnë mijëra paunde para se të kenë qasje në trajtimin e fertilitetit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS), raporton BBC News.

Në Angli, NHS financon fekondimin in vitro (IVF) për çiftet heteroseksuale të cilët janë përpjekur pa sukses të kenë një fëmijë për të paktën dy vite dhe që plotësojnë disa kritere të tjera si mosha dhe pesha. Por çiftet e të njëjtit seks pritet që të vërtetojnë infertilitetin e tyre dhe për ta bërë këtë duhet të paguajnë privatisht për rreth 3-12 raunde të fekondimit artificial para se të kualifikohen për financim të fekondimit in vitro (IVF).

Çiftet thonë se kanë shpenzuar më shumë se 20,000 £, pavarësisht se vitin e kaluar qeveria premtoi shpërndarje më të barabartë në trajtimin e fertilitetit nga NHS për çiftet e të njëjtit seks dhe gratë beqare.

Aktivistët e kane quajtur nevojën për vetëfinancim të raundeve të fekondimit artificial si një “taksë diskriminuese për çiftet homoseksuale” dhe kanë kërkuar që qeveria të zbatojë premtimin e saj për heqjen e barrierave financiare, derisa Departamenti për Shëndetësi dhe Kujdes Social (DHSC) thotë se ekziston një plan 10 vjeçar për përmirësimin e ofrimit të kujdesit shëndetësor.

Sigurisht që kjo taksë ndikimin më të madh e ka në jetët e çifteve që ëndërrojnë të krijojnë familje. Shauna Mansbridge, 30 vjeç, ka dashur gjithmonë të ketë një fëmijë. Por kur ajo dhe partnerja e saj, Faye Hawkins, vizituan mjekun e përgjithshëm në Dorset, atyre iu tha se do të kualifikoheshin për IVF në NHS vetëm pasi të kenë kaluar 12 cikle të pasuksesshme të fekondimit artificial, të cilat duhet t’i vetëfinanconin. Kostoja ndryshon, por Shauna dhe Faye kuptuan se do t’u kushtonte të paktën 30,000 £ për 12 raunde të inseminimit intrauterin (IUI).

Duke pasur parasysh koston e IUI, dhe dëmin emocional nga përpjekjet e përsëritura e të dështuara, Shauna dhe Faye vendosën që të vetëfinanconin IVF në vend se të përpiqeshin të plotësonin kriteret për trajtimin e financuar nga NHS. Çifti deri tani ka shpenzuar kursimet e tyre të jetës, rreth 22,000 £.

“Duhej të bënim shumë sakrifica,” thotë Shauna, “por kjo ishte rruga jonë e vetme drejt amësisë”.