Talibanët bastisën dhe pezulluan funksionimin e radiostacionit të vetëm kombëtar për gratë në Afganistan, duke thelluar përjashtimin e grave nga jeta publike dhe shoqëria.
Radio Begum me bazë në Kabul, një stacion i drejtuar nga gratë me përmbajtje që synon edukimin e grave, tha se oficerët nga Ministria e Informacionit dhe Kulturës e drejtuar nga talibanët bastisën dhe kontrolluan ambientet e stacionit dhe ndaluan stafin e tij.
Oficerët “konfiskuan kompjuterë, hard disqe, skedarë dhe telefona nga stafi i Begum, duke përfshirë gazetaret gra të Begum, dhe morën në paraburgim dy punonjës burra të organizatës që nuk mbajnë asnjë pozicion të lartë drejtues”, tha radiostacioni në një deklaratë të martën.
Ministria konfirmoi më vonë pezullimin e stacionit, duke përmendur disa shkelje të pretenduara të “politikës së transmetimit dhe përdorimit të pahijshëm të licencës së stacionit”, duke përfshirë “dhënien e paautorizuar të përmbajtjes dhe programeve për një kanal televiziv me bazë të huaj”, dhe shtoi se do të përcaktojë të ardhmen e stacionit “në kohën e duhur”.
Reporterët pa Kufij (RSF) dënoi pezullimin dhe kërkoi anulimin e tij të menjëhershëm.
Para ndalimit të së martës, Radio Begum transmetonte gjashtë orë mësime në ditë, së bashku me programe shëndetësore, psikologjike dhe shpirtërore për gratë në pjesën më të madhe të Afganistanit. Stacioni tha se ofron arsim dhe mbështetje për gratë afgane, pa qenë “të përfshira në asnjë aktivitet politik”, shkruan CNN.
Kanalet e saj simotra ofrojnë gjithashtu mësime në internet të filmuara nëpër studio në Paris. Klasat televizive mbulojnë një gamë më të gjerë lëndësh, duke ofruar arsim në një vend ku vajzave u ndalohet shkolla pas klasës së gjashtë.
Ky pezullim konsiderohet të jetë vijimësi e politikave kufizuese të talibanëve për gratë dhe vajzat nga Afganistani, të cilët po i largojnë ato nga jeta publike dhe pjesëmarrja shoqërore.
Po ashtu, vitin e kaluar, talibanët mbyllën të paktën 12 media, publike dhe private, sipas RSF, e cila e renditi Afganistanin në 178 nga 180 vende në indeksin e fundit të lirisë së shtypit.