Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Talibanët në Afganistan kanë ristrukturuar sistemin gjyqësor në shërbim të shtypjes ndaj grave

QIKA 13.8.2025

Udhëheqësit talibanë e kanë ristrukturuar sistemin ligjor e gjyqësor në shërbim të shtypjes ndaj grave dhe vajzave dhe për të ushtruar krime kundër njerëzimit, sipas raportuestit të pavarur të OKB-së për të drejta të njeriut në vend.

Në një raport drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Richard Bennett tha se pas marrjes së pushtetit në vitin 2021, talibanët pezulluan kushtetutën e vitit 2004 dhe ligjet që mbronin të drejtat e grave dhe vajzave, përfshirë edhe një ligj që kriminalizonte 22 forma të dhunës ndaj grave, si dhunimi seksual dhe martesa e detyruar apo martesa e fëmijëve.

Talibanët pushuan nga puna të gjithë gjyqtarët e qeverisë së mëparshme, nga ta edhe rreth 270 gra, duke i zëvendësuar me burra që ndajnë pikëpamjet e tyre ekstremiste islame, pa trajnim juridik, dhe që japin vendime mbi bazën e dekreteve talibane.

Po ashtu, ata morën kontroll të plotë mbi organet e rendit dhe hetimit, duke larguar sistematikisht afganët që kishin punuar për qeverinë e mëparshme.

Raporti, i cili fokusohet në qasjen në drejtësi dhe mbrojtjen për gratë dhe vajzat, bazohet në mbi 110 takime, diskutime në fokus grupe dhe intervista individuale me afganë brenda dhe jashtë vendit. Bennett nuk ka mundur të vizitojë Afganistanin pasi talibanët i patën refuzuar vizën.

Që prej ardhjes së tyre në pushtet, sulmet e talibanëve ndaj grave dhe vajzave janë raportuar vazhdimisht dhe janë dënuar globalisht. Ata kanë ndaluar arsimin për vajzat pas klasës së gjashtë, kanë ndaluar shumicën e punësimeve për gratë dhe ua kanë mohuar hyrjen në shumë hapësira publike, përfshirë parqet, palestrat dhe sallonet e bukurisë. Ligje të reja ndalojnë zërin e grave dhe mbulimin e fytyrës jashtë shtëpisë.

Sipas Bennett, sot nuk ka asnjë gjyqtare apo prokurore grua dhe asnjë avokate të regjistruar zyrtarisht, duke i lënë gratë me shumë pak mundësi të sigurta për të raportuar dhunën apo për të kërkuar drejtësi. Mungesa e zyrtareve gra në polici dhe institucione të tjera çon në mosraportim masiv të dhunës dhe diskriminimit.

Çështjet që lidhen me divorcin, kujdestarinë e fëmijëve dhe dhunën me bazë gjinore shpesh refuzohen nga gjykatat talibane. Gratë detyrohen të shoqërohen nga një burrë i familjes për të paraqitur ankesa ose për të marrë pjesë në procese gjyqësore, çka krijon pengesa të veçanta për gratë e veja, gratë kryefamiljare, të zhvendosura dhe ato me aftësi të kufizuara.

Përballë këtyre sfidave, shumë gra po i drejtohen mekanizmave tradicionalë dhe joformalë të “drejtësisë” – si jirgat dhe shurat (këshilla komunitare të burrave) – ose ndërmjetësimit nga udhëheqës fetarë apo të moshuarit e komunitetit, raporton AP News.

Bennett theksoi se forumet ndërkombëtare paraqesin shpresën më të madhe për drejtësi. Ai përmendi kërkesën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare më 23 janar për lëshimin e urdhrave të arrestit për dy liderë të lartë talibanë, të akuzuar për krime kundër njerëzimit për shkak të persekutimit me bazë gjinore. Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha vendeve të mbështesin përpjekjet për ta çuar Afganistanin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkeljen e Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave.