Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Talibanët u thonë grave afgane të mos dalin nga shtëpia pasi ushtarët “nuk janë të trajnuar” t’i respektojnë ato

QIKA 30.8.2021

Përmes një konference për media, zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, tha se gratë nuk duhet të shkojnë në punë për sigurinë e tyre dhe duhet të qëndrojnë në shtëpi, duke pranuar se nuk ishin të sigurta në prani të ushtarëve të grupit militant.

Udhëzimi erdhi në të njëjtën ditë kur Banka Botërore ndaloi financimin në Afganistan, duke cituar shqetësimet në lidhje me sigurinë e grave, dhe brenda pak orësh nga OKB -ja duke bërë thirrje për një “hetim transparent dhe të shpejtë” mbi raportet e abuzimeve të të drejtave të njeriut që nga marrja nën kontroll e talibanëve.

Mujahid tha se udhëzimi për të qëndruar në shtëpi do të ishte i përkohshëm dhe se do të punojnë që të gjejnë mënyra për të siguruar që gratë të mos “trajtohen në ndonjë mënyrë diskriminuese” ose “Zoti na ruajt, duke i lënduar”. Ai pranoi se masa ishte e nevojshme sepse ushtarët talibanë “vazhdojnë të ndryshojnë dhe nuk janë të trajnuar”, raporton CNN

Herën e fundit kur talibanët ishin në pushtet mes viteve 1996 -2001, grupi militant ndaloi gratë që të dalin në vendet e tyre të punës dhe i detyroi që të mbylleshin në shtëpitë e tyre ose të dilnin vetëm nën shoqërimin e burrave, gjithashtu duke i detyruar që të mbulonin të gjithë trupin e tyre.

Grupi i talibanëve ka këmbëngulur se epoka e tyre e re në udhëheqje do të jetë më e moderuar, megjithatë, udhëheqësit talibanë kanë refuzuar të garantojnë se të drejtat e grave nuk do të hiqen.