Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Talibanët ua ndalojnë grave edhe të dëgjojnë zërat e njëra-tjetrës

QIKA 30.10.2024

Në përpjekjen e tyre të fundit për të vendosur ligje të ashpra islamike në Afganistan, talibanët i kanë ndaluar gratë të dëgjojnë zërat e grave të tjera.

Të hënën, ministri Khalid Hanafi njoftoi se kishin vendosur një kufizim të ri për sjelljen e grave në publik. “Edhe kur një grua e rritur lutet dhe një grua tjetër kalon pranë saj, ajo nuk duhet të lutet me zë të lartë që t’a dëgjojnë të tjerët”, tha ai. Këtë mesazh ai e shpërndau përmes autoparlantëve në vend të një transmetimi televiziv, për shkak se talibanët e kanë ndaluar shfaqjen e qenieve të gjalla në televizion.

“Çfarëdo që ai thotë është një torturë e radhës për ne. Të jetosh në Afganistan është tepër e dhimbshme nëse je grua. Afganistani është harruar dhe kjo është arsyeja pse ata po vazhdojnë të na shtypin çdo ditë”, tha një grua afgane në Kabul.

Që nga viti 2021, kur talibanët morën pushtetin, ata kanë kufizuar të drejtat e grave afgane. Gratë janë urdhëruar të mbulojnë fytyrën, të mos flasin në afërsi të një burri të panjohur, dhe të mos flasin me zë të lartë brenda shtëpive të tyre që të mos dëgjohen jashtë.

Gratë që nuk i respektojnë këto rregulla do të arrestohen dhe të dërgohen në burg, madje lideri suprem u zotua se do të filloj të vrasë gratë me gurë në publik.

“Talibanët mendojnë se sundimi i Afganistanit ka të bëjë vetëm me shtypjen e grave, ne nuk kemi kryer ndonjë krim duke lindur si gra”, tha një grua nga provinca Herat.