Pavarësisht përpjekjeve të tyre të jashtëzakonshme, nënat vetushqyese shpesh hasin në diskriminim brenda vendit të punës. Ky diskriminim manifestohet në mënyra të ndryshme, si pagesa të pabarabarta, mundësi të kufizuara për avancim, madje edhe paragjykime mbi jetën e tyre private. Punëdhënësit dhe kolegët shpesh kanë supozime të pabaza në lidhje me angazhimin dhe disponueshmërinë e nënave vetushqyese për shkak të përgjegjësive të tyre prindërore, duke iu cenuar kështu atyre mundësitë për t’u përfshirë në jetën sociale dhe avancimin në karrierë.
Në një shoqëri të formuar nga norma patriarkale, rrugëtimi për gratë është i mbushur me sfida, një realitet që rezonon fuqishëm në Kosovë. Në kontekste të tilla, ku ekonomia është e pazhvilluar, punëtorët diskriminohen për shkak të gjinisë, racës, etnisë, fesë ose orientimit të tyre seksual. Për gratë vetushqyese në Kosovë, këto sfida janë edhe më të rënduara, duke prekur thuajse të gjitha aspektet e jetëve të tyre, prej punësimit e deri tek kujdestaria për fëmijë. Për më shumë, edhe ndodhi si sëmundja e fëmijës mund të rezultojnë me humbje pune për nënat vetushqyese.
Rreze Duli nga Prishtina, nënë vetushqyese e një vajze, e udhëheq shoqatën “Single Mothers Kosova” (“Nënat Vetushqyese të Kosovës”), që ka për qëllim mbështetjen për nënat vetushqyese. Që nga ajo kohë Rrezja ka punuar në disa organizata kombëtare dhe ndërkombëtare në Kosovë.
“Kur ka lind vajza, kam punuar në UNICEF. Vetëm katër muaj ka qenë pushimi i lindjes, dhe kur i ka bërë vajza tre muaj, kam dalë në punë. Të drejtat për të gjithë punëtorët ishin të njëjta, unë nuk kishta ndonjë dallim apo përparësi, jemi trajtuar barabartë.”
Një ndër sfidat kryesore me të cilat përballen nënat vetushqyese në Kosovë është gjendja ekonomike dhe mungesa e mbështetjes shtetërore. Ndihma shtetërore, thotë Rrezja, i ofrohet një nëne vetëm nëse ajo është në varfëri ekstreme dhe nuk ka ndonjë burim nga anëtarët e tjerë të familjes, edhe pse kjo ndihmë është shumë e vogël krahasuar me kërkesat dhe nevojat me të cilat përballet një nënë kryefamiljare.
Për nënat vetushqyese, orari i punës reflekton një standard për të gjithë punëtorët, pavarësisht statusit të tyre familjar. Megjithatë, koncepti i orarit fleksibil është i paqasshëm për to në masë të madhe. Varësisht nga orari, ato shpesh e gjejnë vetën të detyruara ndaj një orari fiks prej tetë orësh, që përbën një sfidë shumë-dimensionale në kontekst të kujdesit për fëmijë. Kjo vështirësi veç sa shton një shtresë tjetër të kompleksitetit, e cila jo vetëm që kërkon angazhim, por është edhe e kushtueshme financiarisht.
E detyruar nga nevoja për të siguruar të ardhura për familjen e saj, Rrezja u rikthye në punë vetëm tre muaj pas lindjes së vajzës së saj.
“Shpesh herë më është dashur të punojë dy herë më shumë si shkak i gjendjes sime, duke e ditur si isha burimi i vetëm i familjes. Pushimet për mua kanë qenë gjithmonë minimale si shkak i frikës së humbjes së punës”, thotë ajo.
Rrezja kishte gjetur një kujdestare për fëmijën e saj përmes rekomandimeve nga shoqëria. Megjithatë, thotë ajo, nënat vetushqyese tani mund t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe publike ku komuna paguan shërbimin, që paksa lehtëson barrën dhe koston financiare për nënat vetushqyese.
Sfidimi i normave patriarkale dhe luftimi i sfidave që i mveshen grave të cilat janë ndarë nga partnerët e tyre, janë vështirësi shtesë me të cilat nënat vetushqyese duhet të përballen. Gjatë punësimit të tyre, ato shpesh i nënshtrohen gjuhës abuzuese dhe diskriminuese. Rrezja haptazi e thotë që shoqëria jonë, duke qenë si e vogël ashtu edhe patriarkale, ka një tendencë për të eksploatuar njerëzit në pikat e tyre më të dobëta.
“Për shkak që gjatë shumicës së kohës time të punësimit kam pasur pozita menaxheriale, nuk kam pasur diskriminim të drejtpërdrejt, mirëpo në mënyrë të tërthorët, përmes personave tjerë, kam dëgjuar fjalë të tmerrshme, dhe kjo më ka krijuar një ndjenjë qe jam e vetme”, tregon ajo.
Kërkesat dhe nevojat e nënave vetushqyese janë në disproporcion të madh me ndihmën e cila ju ofrohet nga shteti. Janë dy gjëra, sipas Rrezës, që janë urgjente dhe të cilat qeveria duhet t’i adresoj. E para është sigurimi i banimit social për nënat vetushqyese në vështirësi, ndërsa e dyta është rritja e shumës së ndihmës sociale. Sipas Anketës së fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Fuqinë Punëtore, vetëm 17.9% e grave janë të punësuara.
Arjeta Gashi nga Prishtina, nënë e një djali, aktualisht është udhëheqëse e “Single Parents Association”, (Shoqata e Prindërve të Ndarë), që ka për qëllim mbështetjen dhe informimin e prindërve vetushqyes rreth të drejtave të tyre ligjore si dhe të drejtave të fëmijëve të tyre.
Ajo është nënë vetushqyese për afro një dekadë. Që nga ajo kohë, Arjeta ka hapur shoqatën dhe i ndihmon kësaj kategorie përmes informimit në procesin e divorcit dhe aktiviteteve të tjera. Ajo ka qenë me fat, sepse ishte punësuar disa vite para se të bëhej nënë vetushqyese.
“Natyrisht gjatë kësaj periudhe kanë lindur sfida të tjera të cilat më kanë vështirësuar funksionimin dhe pas parasysh kulturën tonë ku ende besojnë se një grua duhet të ketë një burrë prapa për të arritur suksesin, unë me këmbëngulësi nuk kam pranuar këtë qëndrim dhe e vetme kam kapërcyer çdo sfidë që ka dalë para meje”, thotë Arjeta.
Kujdesi ndaj fëmijëve dhe menaxhimi i përditshëm i detyrave, roli i dyfishtë si nënë dhe baba në të njëjtën kohë janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen nënat vetushqyese. Një problem tjetër, thotë Arjeta, është mungesa e politikave sociale e financiare për prindërit vetushqyes, që e bënë edhe më të vështirë dhe shpesh edhe të papërballueshme jetën.
Duke ditur se nënave vetushqyese ju nevojitet punë dhe orar fleksibil si shkak i përgjegjësive familjare dhe rritjes së fëmijëve, kjo po thuajse as një here nuk aplikohet në vendin tonë. Arjeta thotë se përpos mungesës së këtij fleksibiliteti, nënat ballafaqohen me diskriminim në përditshmëri si shkak i mungesës së mbështetjes së mjaftueshme për kujdesin e fëmijëve.
Diskriminimi gjatë punësimit shprehet në forma të ndryshme, siç janë kërkesa për orare të rrepta pune që nuk mund t’i përshtaten kujdesit për fëmijët, ose refuzimi i ofrimit të pozitave të larta, me argumentin e papërshtatshmërisë së tyre për rolin e nënës vetushqyese. Andaj edhe mundësitë janë shumë të kufizuara, që vështirësojnë edhe më tutje pavarësinë ekonomike të nënave të vetme.
Arjeta përmend poashtu problemet që këto gra hasin në procedurën e divorcit, e cila krijon problem të vazhdueshëm për kujdesin e fëmijëve të tyre, rrjedhimisht për mbarëvajtjen e rregullt në procesin e punësimit. Mospërfillja e interesave të fëmijëve nga gjykatat dhe nevojat e fëmijëve të nënave vetushqyese gjatë proceseve gjyqësore krijojnë një zinxhir problemesh. Çështja e kujdestarisë, caktimi i alimentacionit, vendimi final/formal nga gjykata janë pengesa dhe ndikojnë direkt në mirëqenien e fëmijëve si edukimi, ushqimi, e shumë të tjera. Këtu problem madhor përbën sistemi i drejtësisë, ku stërzgjatet trajtimi për lëndët e divorcit.
Rrethanat nën të cilat vazhdojnë të jetojnë nënat vetushqyese në Kosovë kërkojnë hapa urgjent për të adresuar padrejtësitë dhe hendeqet të cilat vazhdojnë të rëndojnë jetët e këtyre grave. Arjeta thotë se duhen marrë praktika nga vende të zhvilluara, posaçërisht tek pagesa e alimentacionit përmes thesarit të shtetit. Zhvillimi i politikave mbështetëse specifike për nënat vetushqyese duhet të përfshijnë kujdesin e fëmijëve në vendet e punës, oraret fleksibile të punës, trajnimet për aftësim profesional dhe ndihmën financiare për të mbuluar shpenzimet e kujdesit të fëmijëve.
“E di që kalojnë kohë shumë të vështira, por nënat e vetme kanë një besim mbresëlënës. Ato gjithmonë dinë se çfarë të bëjnë dhe si t’ia bëjnë. Ato përpiqen edhe kur gjërat janë shumë më të vështira, nuk dorëzohen kurrë, dhe e dinë më mirë se të gjithë që, mbi të gjitha, dashuria e një nëne ndaj fëmijës është mbi gjithçka tjetër”, thotë Arjeta.
——————————
Ky artikull është shkruar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.