Trajneri i ekipit futbollistik të grave në Irlandën e Veriut kërkoi falje të mërkurën pasi tha se vajzat dhe gratë janë të prira për të pranuar gola të shumtë në një hapësirë të shkurtër kohe, sepse ato janë “më emocionale se burrat”. Kenny Shiels mori kritika për komentet që bëri pas humbjes së ekipit të tij ndaj Anglisë, humbje e cila i dha fund mundësive të Irlandës së Veriut për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për Gra.
“Në lojën e grave, besoj se e keni vënë re, kur një ekip pranon një gol, ai pranon një të dytë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Kjo sepse vajzat dhe gratë janë më emocionale se burrat. Pra, ato marrin një gol dhe pastaj demoralizohen shpejt”, tha 65-vjeçari Shiels në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Shiels, i cili ka trajnuar ekipin e Irlandës së Veriut që nga viti 2019, pas gati tre dekadash duke menaxhuar ekipe të burrave e përshkroi golin e dytë si “një gol emocional”.
Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Shiels tha se i vjen keq për ofendimin që kanë shkaktuar komentet e tij. “Mbrëmë ishte një rast i veçantë për lojën e grave në Irlandën e Veriut dhe jam krenar që menaxhoj një grup lojtarësh që janë modele për kaq shumë vajza dhe djem në të gjithë vendin”, tha ai.
Siobhan Chamberlain, ish-portiere e skuadrës së grave në Angli, tha se Shiels duhej të ishte i vetëdijshëm për mesazhin që mund të bartin fjalët e tij. “Ne të gjithë e dimë – dhe ne e kuptojmë këtë si futbollistë – pesë minutat pasi keni pranuar një gol ose pesë minutat pasi keni shënuar një gol, jo vetëm në futbollin e grave por edhe në futbollin e burrave, ka më shumë gjasa të pësosh një gol apo që të shënosh sërish”, tha ajo për BBC.
Irlanda e Veriut luajti para një turme prej 15,348 njerëzve në Windsor Park në Belfast – një rekord për një ndeshje të grave në vend. Skuadra ka arritur për herë të parë në Kampionatin Evropian dhe në korrik do të përballet me Norvegjinë, Austrinë dhe Anglinë.