Që nga fillimi i muajit, për vetëm 5 ditë, tri gra kanë raportuar për dhunime seksuale në Policinë e Kosovës ndërsa tri të tjera për ngacmim seksual.
Rastet kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës. Dy prej dhunimeve dhe një ngacmim seksual janë raportuar se kanë ndodhur në Gjakovë, një dhunim në Ferizaj, një ngacmim seksual në Lipjan dhe tjetri në Istog.
Pesë prej personave të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një prej tyre është liruar pas 48 orëve.
Raportet e Policisë:
“Lipjan 30.09.2022 – 16:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se kishte ngacmuar seksualisht disa femra. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
“Istog 30.09.2022 – 14:57. Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se e kishte ngacmuar me fjalë nga viktimën femër kosovare (e mitur). Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
“Gjakovë 01.10.2022 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se e kishte ngacmuar me fjalë të ndryshme të natyrës seksuale viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.”
“Ferizaj 04.10.2022 – 13:00. Viktima femër kosovare ka njoftuar se ish i fejuari i saj, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
“Gjakovë 04.10.2022 – 18:05. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me dhunë e ka futur në veturën e tij dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.”
“Gjakovë 04.10.2022 – 13:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se dy persona të dyshuar të maskuar me dhunë e kanë futur në veturën e tyre dhe kanë dhunuar seksualisht. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor. Pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar një i dyshuar kosovar dhe i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”