Policia në Sierra Leone po heton vdekjen e tre vajzave që iu nënshtruan procesit të gjymtimit të organeve gjenitale (FGM). Adamsay Sesay, 12 vjeçare, Salamatu Jalloh, 13 vjeçare si dhe Kadiatu Bangura, 17 vjeçare, vdiqën gjatë procesit të FGM në provincën veriperëndimore të Sierra Leone.
Aminata Koroma, sekretarja ekzekutive e Forumit kundër praktikave të dëmshme (FAHP), një organizatë që punon për t’i dhënë fund FGM-së në Sierra Leone, tha se prindërit e vajzave dhe ata që i gjymtuan ato u morën në paraburgim nga policia, raporton The Guardian.
FGM përfshin heqjen e pjesshme ose totale të organeve gjenitale të jashtme femërore dhe konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Në vitin 2012, OKB-ja miratoi një rezolutë për ta ndaluar atë, por ajo ende praktikohet në rreth 30 vende të botës.
Pavarësisht thirrjeve nga aktivistët dhe avokuesit e të drejtave të njeriut që praktika të kriminalizohet, FGM ende mbetet e ligjshme në Sierra Leone. Një studim kombëtar në vitin 2019 zbuloi se 83% e grave kishin kaluar nëpër procedurat e FGM.
Procedura është pjesë e një rituali tradicional që shënon hyrjen e vajzave në adoleshencë. Ajo kryhet nga Soweis, anëtarë të shoqërive sekrete të quajtura Bondo.
FAHP po lobon për një ligj që do të kriminalizonte FGM-në. “Ka shumë aspekte pozitive të shoqërive Bondo. Aty u mësojnë vajzave për vetitë medicinale të bimëve dhe flasin mbi historinë e kulturës së tyre, me sloganin ‘Thuaj po Bondos, jo FGM-së”, thotë Koroma.
Në vitin 2021, Maseray Sei, 21 vjeçare nga Sierra Leone jugore, vdiq nga komplikimet pasi iu nënshtrua FGM-së. Një mjek u akuzua për vrasje, por akuza ra për shkak të një gabimi në raportin mjekësor të vdekjes së Sei.
“Është krejtësisht e papranueshme që gratë dhe vajzat vazhdojnë të vdesin nga FGM në Sierra Leone, e qeveria mbetet në apati e mosgatishmëri për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të parandaluar këto vdekje”, thotë Divya Srinivasan, drejtuese e programit për largimin e praktikave të dëmshme në OJQ-në Equality Now.