Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Uber paditet nga 550 gra për sulme seksuale nga shoferët e kompanisë

QIKA 14.7.2022

Uber në SHBA është paditur nga 550 gra që dyshohet se janë sulmuar nga shoferët në platformën e udhëtimit. Dokumenti përfshin pretendime se gratë pasagjere “janë rrëmbyer, sulmuar seksualisht, dhunuar seksualisht, përdhunuar, burgosur në mënyrë të rreme, përndjekur, ngacmuar ose sulmuar në mënyra tjera nga shoferët e Uber”.

Çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë të Qarkut të San Franciskos të mërkurën. “Sulmi seksual është një krim i tmerrshëm dhe ne e marrim seriozisht çdo raportim”, tha një zëdhënës i Uber për BBC. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme se siguria, prandaj Uber ka ndërtuar veçori të reja sigurie, ka vendosur politika të përqendruara te viktimat dhe ka qenë më transparent në lidhje me incidentet serioze. Ndërsa ne nuk mund të komentojmë mbi çështjet gjyqësore në pritje, ne do të vazhdojmë ta mbajmë sigurinë në zemër të punës sonë”, shtuan ata.

Ankesa, e paraqitur nga avokatët në firmën ligjore Slater Slater Schulman, pretendonte se sulmet seksuale ndodhën në shumë shtete. Padia pretendon se qysh në vitin 2014 Uber u bë i vetëdijshëm se shoferët e saj po sulmonin dhe përdhunonin seksualisht pasagjeret gra. Por dosjet pretendojnë se kompania i jepte përparësi rritjes ekonomike mbi sigurinë e klientit.

Muajin e kaluar, Uber publikoi Raportin e dytë të Sigurisë në SHBA të vitit 2020, i cili tregoi se kishte 998 incidente të sulmeve seksuale, përfshirë 141 raste përdhunimi. Në raport, kompania tha se kishte marrë gjithsej 3,824 raporte për pesë kategoritë më të rënda të sulmeve seksuale midis 2019 dhe 2020.

Padia thotë gjithashtu se kompania nuk ka kryer kontrolle të duhura për shoferët e saj. Uber thotë se kompania ka ndryshuar vitet e fundit. Por me kaq shumë lajme negative, investitorët po shqetësohen se njerëzit do të fillojnë të shqyrtojnë kompani tjera të udhëtimit.