Universiteti i Prishtinës ka publikuar raportin “Regulation’s Impact on Sexual Harassment Prevention: Student Perspective at The University of Prishtina”, sipas së cilit 10.4% e të anketuarve kanë përjetuar ngacmime seksuale në hapësirat e UP-së ndërsa 31.0% e studentëve kanë njohuri për raste të ngacmimeve seksuale në kampus.
Hulumtimi i cili është realizuar gjatë muajve prill dhe maj 2023, përmes një pyetësori ka anketuar 1,035 studentë, prej të cilëve 73.9% janë vajza.
Sipas raportit, 48.4% e ngacmimeve seksuale janë shkaktuar nga profesorët dhe asistentët, 34.4% nga studentët dhe 7.4% nga stafi administrativ i UP-së.
Ambientet ku ndodhin më së shumti ngacmimet seksuale janë lokalizuar sallat ku mbahen ligjëratat (44.7%), dhe zyrat e UP-së.
64.3% e studentëve të anketuar kanë njohuri për rregulloren e UP-së që parandalon dhe trajton rastet e raportuara për ngacmime dhe ngacmime seksuale, megjithatë 58.1% e të anketuarve, kryesisht vajza, deklaruan se kanë mungesë të njohurisë lidhur me mekanizmat në fuqi për parandalimin dhe trajtimin e ngacmimeve seksuale.
Hulumtimi identifikoi rrjetet sociale si mjet kryesor përmes të cilit studentët mësuan për rregulloren e universitetit për ngacmimin seksual. Derisa e-mailet e universitetit, ndërveprimet me kolegë, Këshillin Studentor dhe anëtarët e fakultetit u identifikuan si faktorë tjerë për shpërndarjen e informacionit.
“Universiteti i Prishtinës, për herë të parë, ka realizuar një studim gjithëpërfshirës në të gjitha 14 njësitë akademike të universitetit, ku kemi mbledhur perceptimet dhe përvojat e studentëve lidhur me ngacmimin seksual. Gjetjet e këtij studimi do të na mundësojnë të përmirësojmë dhe forcojmë politikat ekzistuese, si dhe të adresojmë në mënyrë më efektive nevojat dhe shqetësimet e studentëve për sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, tha autorja e hulumtimit Njomza Llullaku ish-ish-prorektore për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve në UP, në konferencën e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Kryeministrisë, rreth parandalimit të ngacmimeve seksuale në administratën publike.
Në fund hulumtimi ofron 4 rekomandime si: rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit; forcimi i mekanizmave për raportimi; përmirësimi të kuadrit rregullues; krijimin e një mjedisi mbështetës.
Kujtojmë se vetëm disa muaj më parë 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar për ngacmim seksual profesorin Xhevat Krasniqi, i cili u suspendua nga puna për 6 muaj, ndërsa dy ditë më parë, me vendim të rektorit, suspendimi iu vazhdua për afat të pacaktuar – deri në vendimin e organeve të drejtësisë.
Hulumtimin e plotë në gjuhën angleze e gjeni këtu