Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehi para Parlamentit Evropian se ajo besonte që në takimin e saj me Presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan, iu kishte mohuar karriga dhe nuk ishte trajtuar e barabartë me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, vetëm pse ai është burrë dhe ajo grua.
“Në Traktatet Evropiane nuk mund të gjej ndonjë justifikim se si jam trajtuar. Kështu që duhet të konkludoj se e gjithë kjo ka ndodhur vetëm për faktin që jam grua. A do të kishte ndodhur e njëjta nëse do të isha veshur me kostum dhe kravatë?”, tha der Leyen. “Në fotot e takimeve të mëparshme, nuk pash se ndonjëherë kishte mungesë të karrigeve, por nuk pashë as ndonjë grua në këto fotografi”, shtoi ajo.
Von der Leyen u tha ligjvënësve që tashmë veçse kishin pozita të fuqishme politike, se gratë mund ta kuptojnë këtë eksperiencë. “Unë u ndjeva e pafuqishme, e vetme, si grua dhe si evropiane”, tha ajo.
Von der Leyen nuk saktësoi se kë fajësoi për incidentin: Michel-in, Erdogan-in apo ekipet e tyre – megjithëse zyrtarët, që njohin atë dhe mendimin e saj kanë thënë se ajo është e irrituar me të gjithë.
Michel ka thënë që pendohet për gabimin e tij dhe se ai do ta kishte trajtuar situatën ndryshe në retrospektivë. Por ai tha se në atë moment donte të shmangte krijimin e ndonjë incidenti diplomatik me Turqinë dhe të përqendrohej në agjendën e takimit që ata do të zhvillonin, i cili kishte në fokus të drejtat e grave dhe barazinë gjinore.