Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ushtria e Indonezisë do t’i jap fund “testeve të virgjërisë” për gratë rekrute

QIKA 10.8.2021

Ushtria në Indonezi do t’i jap fund “testeve të virgjërisë” të cilat kanë qenë të detyrueshme për gratë rekrute. Ky veprim është mirëpritur nga grupet e të drejtave të njeriut.

Për dekada të tëra, ushtria indoneziane i ka nënshtruar gratë rekrute në procesin e “testit të virgjërisë”. Sipas Human Rights Watch kjo formë e testimit është abuzim, nuk ka bazë shkencore dhe diskriminon gratë.

Gjatë testimit grave iu futen dy gishta në vaginë nga mjekët për të vërtetuar nëse ato janë të virgjëra. Kjo praktikë vlerësohet të jetë dhunë me bazë gjinore, ndërsa shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Andika Perkasa përmes një konference la të kuptohet se kjo procedurë do të ndërpritet, raporton CNN.

Sipas një hulumtimi të realizuar në 2014, kjo praktikë përdorej edhe për gratë police. Ka pasur raste kur gratë janë traumatizuar nga kjo procedurë dhe të tjera të cilave u ka rënë të fikët. Human Rights Watch tha për CNN se kjo praktikë ishte ndaluar zyrtarisht në nivel kombëtar, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e kishte ndaluar atë në vitin 2014.

Grupet e të drejtave të grave do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Marinës dhe Forcave Ajrore për t’i dhënë fund kësaj praktike.