Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Uta Ibrahimi, personi i parë nga Ballkani që ka ngjitur 14 majat më të larta në botë

QIKA 19.5.2025

Uta Ibrahimi ka hyrë në historinë botërore të alpinizmit duke u bërë personi i parë nga Ballkani dhe gruaja e parë shqiptare, që ka ngjitur 14 majat më të larta në botë të njohura si “tetëmijëshat”.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë ajo, kur më 10 maj 2025, përfundoi ngjitjen e saj të fundit në Kangchenjunga (8,586 metra), maja e tretë më e lartë në botë.

Sipas të dhënave të fundit nga viti 2024, vetëm tetë gra e kishin përfunduar këtë sfidë. Arritja e Utës e vendos atë në një grup jashtëzakonisht të vogël alpinistësh në nivel global dhe e bën atë një nga emrat më të mëdhenj të alpinizmit në Ballkan.

Uta nisi rrugëtimin e saj në alpinizmin ndërkombëtar më 22 maj 2017, kur ngjiti majën e Everestit (8,848 metra), duke bërë histori si gruaja e parë shqiptare që arrinte kulmin e botës.

Por kjo ishte vetëm maja e parë e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, që përfshinte majat më të frikshme të Himalajeve dhe Karakoramit , si K2, Annapurna, Nanga Parbat, Lhotse dhe Broad Peak.

Me ngjitjen e 14 majave më të larta në botë, Uta ka përmbyllur projektin “Utalaya 14×8000”, të cilin e kishte nisur në vitin 2017. Në njoftimin e saj në Facebook ajo shkruan:

“25 orë ngjitje pa pikë gjumi, tu i shkel akujt e Kanchenjungës me shpirt në dhëmbë. Kanchenjunga – e treta për nga lartësia, e para për nga egërsia.

Maja më e lartë në Indi, po ngjitja e saj bahet nga Nepali.

E me këtë, u mbyll kapitulli i madh: ‘Projekti i 14 Majave’

E kam nis në 2017, e kur isha në atë lartësi ku fryma ndalet, e shpirti flet – thashë me vete: “Kjo ishte.”

Krahas arritjeve të saj alpiniste, Uta vazhdimisht bashkë me fondacionin e saj përmes projekteve për të rinjtë, e sidomos për vajzat e Kosovës, ka treguar përkushtimin e saj ndaj aktivizimit dhe barazisë gjinore.