Baballarët në Utah tani janë të detyruar ligjërisht të paguajnë gjysmën e shpenzimeve të kujdesit mjekësor gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Ky ligj është i pari i këtij lloji në SHBA dhe do të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare për gratë amerikane. Ligji do të hyjë në fuqi më 5 maj.
Ligji i Shpenzimeve të Përbashkëta Mjekësore kërkon nga baballarët biologjik të paguajnë gjysmën e shpenzimeve, të tilla si shpenzimet mujore të sigurimit shëndetësor, si dhe tarifat e tjera mjekësore të ngjashme. Sipas një studimi, lindja për gratë që kanë sigurim shëndetësor kushton mesatarisht $4500. Ndërsa për gratë të cilat nuk kanë sigurim shëndetësor shpenzimet janë dyfish më të larta, rreth $10000, raporton organizata Fair Health.
Baballarët nuk janë të detyruar të paguajnë shpenzimet për fëmijët në rastet kur ende nuk është vërtetuar atësia, si dhe në rastet kur gruaja nuk kërkon ndihmë. Poashtu, baballarët nuk janë të detyruar të paguajnë shpenzimet e abortit nëse ai është bërë pa pëlqimin e tyre. Sipas raportit të Planned Parenthood, shpenzimet e abortit janë rreth $1000 për gratë të cilat nuk kanë sigurim shëndetësor.