Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vajzat nigeriane po trafikohen në Bregun e Fildishtë

QIKA 14.10.2024

Trafikimi është një krizë e madhe në Nigeri, ku 750,000 deri në 1 milion njerëz detyrohen në prostitucion, skllavëri, konflikt të armatosur dhe punë të papaguar.

Vajzat dhe gratë janë kryesisht të trafikuara nga agjentë të cilët përfitojnë nga papunësia në Nigeri dhe veprojnë duke i mashtruar me punë të paguar mirë, raporton The Guardian.

Për shkak të ekonomisë së qëndrueshme dhe prostitucionit që është i ligjshëm, Bregu i Filidishtë është bërë destinacion për punë seksuale. Disa nga viktimat, pas një kohe bëhen “zonja” që marrin vajza të tjera për të rifituar paratë që shpenzuan dhe për të rifituar lirinë e tyre. Shumica e grave dhe vajzave të trafikuara nga Nigeria jetojnë thellë në xhunglën e Fildishtë, aty ku nuk respektohet ligji.

Bregu i Fildishtë ka një ligj që kriminalizon trafikimin me qenie njerëzore, por nuk zbatohet dhe shteti është kritikuar shpesh herë nga departamenti i shtetit të SHBA-së për dështimin për të zgjidhur këtë problem.

Disa vajza 15 vjeçare tregojnë që janë lënë pa ngrënë për shkak se refuzuan të punojnë. Shumica prej tyre nuk dijnë të flasin frëngjisht dhe nuk e njohin vendin mirë për të ikur.

Zyrtarët nigerianë që kanë arritur të riatdhesojnë disa nga vajzat e trafikuara thonë se kanë parë fëmijë deri në 13 vjeç në këto zona.

Adekoye Vincent, zëdhënëse e Agjencisë Kombëtare për Ndalimin e Trafikimit të Njerëzve (Naptip) në Nigeri, nuk pranoi të komentonte kur ajo u pyet për vajzat e shfrytëzuara në industrinë e seksit në Bregun e Fildishtë.

“Nuk më pëlqen puna që po bëj këtu. Më mungojnë njerëzit e mi në shtëpi”, tha një vajzë adoleshente e cila ishte trafikuar.