Sipas një studimi të ri, gjatë pandemisë është rritur numri i vdekjeve të grave shtatëzëna dhe nënave të reja. SHBA konsiderohet si vendi më i pasigurt në botën e industrializuar për të pasur fëmijë, me rreziqet më të mëdha të përqendruara në komunitetet e zezakëve dhe amerikanëve indigjenë.
Gratë nga këto komunitete kishin tri herë më shumë gjasa të vdisnin nga një ndërlikim shtatzënie dhe gati katër herë më shumë gjasa të vdisnin nga një shkak që nuk lidhej me shtatzëninë. Gratë indigjene amerikane kishin pesë herë më shumë gjasa se gratë e bardha të vdisnin në aksidente automobilistike gjatë dhe pas shtatzënisë, tri herë më shumë gjasa të vdisnin nga mbidozat e drogës ose femicidi dhe katër herë më shumë gjasa të vdisnin nga vetëvrasja.
Gjatë dhe pas shtatzënisë, gratë e zeza gjithashtu u përballën me shanse të rritura të vdekjes që ishin pothuajse dyfishi i atyre të grave të bardha, së bashku me rrezikun e vdekjes veçanërisht nga komplikimet e shtatzënisë që ishte 2.8 herë më i lartë se tek gratë e bardha.
“Është vërtetë shqetësuese të shohësh këtë rritje të vdekjeve,” tha Jeffrey T. Howard, një profesor i shëndetit publik në Universitetin e Teksasit.
Dr. Howard tha se gjendja mund të përkeqësohet dhe që kushtet për gratë shtatzëna dhe nënat e reja të bëhen edhe më sfiduese, meqenëse tani shumë shtete po kufizojnë qasjen ndaj abortit dhe miratojnë politika që kufizojnë aksesin në kontraceptivë.
Shëndeti i nënës ndikohet nga një mori faktorësh social dhe ekonomikë, duke përfshirë pabarazitë në aksesin ndaj kujdesit dhe cilësinë e atij kujdesi. Megjithatë, ekspertët në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se shumica dërrmuese e vdekjeve të nënave – rreth 80 për qind – janë të parandalueshme dhe se duhet bërë më shumë punë.