Piktorja Alije Vokshi ishte gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa studimet e magjistraturës i përfundoi në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974 deri në vitin 2015. Alije Vokshi vdiç të hënën, më 31 janar 2022 në moshën 77 vjeçare.
Ajo ishte piktore që inspirimin e kërkonte përtej dhomës së saj. Jo rrallë herë, ajo pëlhurave të bardha të kornizuara, u jepte imazhin e fshatarëve e peizazheve të anës së Dukagjinit. Ajo shpesh nisej rreth Deçanit, atje prej nga edhe i ka rrënjët. E tërhiqte fort veshja, dukja dhe zakonet e fshatrave. Qëndrimi dhe pozicioni i tyre karshi jetës reflektohet dukshëm në çdo detaj të portreteve që u prezantuan në ekspozitën që u hap vitin e kaluar në Galerinë e Ministrisë, për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në ekspozitën e saj vërehej që subjekti i pikturave të saj ishin pikërisht gratë dhe burrat e vendit prej nga vinte, shkruan KultPlus.