Një grua nga Graçanica ka vdekur të premten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ajo në QKUK ishte dërguar dy ditë më parë në gjendje të rëndë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti, raporton KOHA.
Nga QKUK-ja është thënë se gruaja kishte lëndime të rënda. “Gruaja ka qenë në gjendje të rëndë dhe tërë kohën ka qenë me frymëmarrje të asistuar në aparat respirator. Ishte me lëndime të rënda inoperabile, dhe për fat të keq ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm”, ka thënë për Koha.Net drejtori i Qendrës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për të dyshuarin ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe pasi që viktima ka vdekur derisa ai ka qenë në mbajtje, rasti është deleguar për trajtim në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj Prokurorie, si dhe është ri-kualifikuar “Vrasje e rëndë”.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën, gjithashtu ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente. Në koordinim të plotë me policinë dhe njësitë relevante janë duke u ndërmarrë veprime hetimore karshi këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës e kishte regjistruar rastin si “dhunë në familje” më 31 korrik. Bashkëshorti i gruas ishte arrestuar po atë natë, ndërsa gruaja ishte dërguar për trajtim.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e PK-së së dy ditëve më parë.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka reaguar gjatë ditës mbi ngjarjen. Në reagim thuhet se mbështet autoritetet e Kosovës drejt parandalimit të dhunës kundër grave. “E tmerrshme të shohim edhe një rast tjetër të pretenduar të femicidit në Kosovë. Krimi i femicidit është shpërfaqja më brutale e dhunës kundër grave dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Vazhdojmë të jemi të përkushtuar për mbështetjen e autoriteteve të Kosovës drejt parandalimit dhe luftimit të çdo forme të dhunës kundër grave dhe drejt dhënies së përgjegjësisë nga autorët e veprave”, thuhet në reagimin e EULEX-it.