Shoqëria ka përcaktuar se maskuliniteti është përgjigje e të gjitha problemeve, por në një formë, ky pushtet ka arritur te përjashtoj çdo individ përpos burrave maskilinist, të bardhë, me privilegje. Pra, i gjithë fati i njerëzimit u determinua nga burrat – për burrat.
Rregull i pashkruar në letër, por i gravuar thellë në mendjet e sistemeve patriarkale. Çdo kush që tenton ta zhbëj këtë rregull, ta kundërshtoj, apo ta luftoj, atëherë do të përdoret forca, përulja, dhuna, madje edhe vrasja nëse është nevoja. Vetëm në këtë formë ushqehet maskuliniteti i burrave – për burrat.
Kur gratë dhe vajzat dalin kundër këtyre rregullave, atëherë përballen me kompleksin e maskulinitetit toksik dhe “gjithëdijen” e burrave, të cilët, përdorin të gjitha mjetet, për qëllimin kryesor e të “lavdishëm”, shtypjen e grave.
“Në atë protestë marrin pjesë veç laviret” ishte njëri nga komentet e armatës patriarkale të burrave, në rrjete sociale, rreth marshit të 8 marsit. “Marshojmë kundër vrasjes së grave” ishte thirrja kryesore në atë marsh. Kaq e thjeshtë, kaq esenciale – e drejta për jetë, e drejtë fundamentale.
Të ndalemi fillimisht tek elaborim i fjalës lavire:“lavír/e,-ja emër i gjinisë femërore; numri shumës; -e(t); me ngjyrim përbuzës; femër e përdalë”. Tendenca për degradimin e identitetit dhe rolit të gruas buron thellë nga patriarkalizmi dhe logjika e mbajtjes së grave në sferën private. Andaj, çdo gjë që del nga sfera private konsiderohet “përdalje”, “shthurje”, “prishje e moralit”.
Ndonëse kjo bëhet më qëllim të shtypjes së grave dhe zërit të tyre, “The Bitch Manifesto” elaboron se çka do të thotë në të vërtetë një lavire:
Në personalitet: Laviret janë agresive, këmbëngulëse, dominuese, mbizotëruese, armiqësore, të drejtpërdrejta, të hapura, të sinqerta, kokëfortë, konkurruese, të pavarura, kërkuese, egoiste, të arritura, të frikshme, ambicioze, të ashpra, të guximshme, maskuline, feminine, të zhurmshme… Ndër të tjera, një lavire zë vend në mendimet e tua. Ju gjithmonë do ta dini se ajo është diku gjetkë. Një lavire nuk toleron asgjë prej askujt. Mund të mos ju pëlqejë, por nuk mund ta injoroni atë.
Në fizik: Laviret janë të mëdha, të vogla, të gjata, të shkurtra, të forta, të guximshme, të vështira, të ngathëta. Laviret lëvizin lirshëm trupat e tyre në vend se të kufizohen. Ato ngjitin shkallët, bëjnë hapa të mëdhenj kur ecin dhe nuk shqetësohen se ku i vendosin këmbët kur ulen. Ato kanë zë të lartë dhe e përdorin shpesh. Laviret nuk janë të “lezetshme”.
Orientimi: Laviret e kërkojnë identitetin e tyre në mënyrë rigoroze përmes vetes dhe asaj që bëjnë. Ato janë subjekte, jo objekte. Ato janë lira në veprim dhe besojnë se janë të afta të bëjnë çdo gjë që duan. Shpesh ato akuzohen për dominim kur bëjnë atë që do të konsiderohej e natyrshme për një burrë.
Çdo herë kur një grua, grup i grave apo lëvizje feministe tenton t’i jap zë çështjeve si femicidit, ngacmimeve seksuale, dhunës me bazë gjinore, personave LGBTIQ+, shtypjes racore, ekonomike, religjioze etj, ato janë lavire, sepse një “grua e denjë” nuk bërtet, ajo duron shtypjen. Nëse liria ime paska një përkufizim tjetër prej lirisë së burrave; atëherë unë jam lavire. Madje lavire krenare. Nëse do të thotë se jam e përdalë kur unë punësohem, jetoj si dua, shprehem si dua, dal kur dua, protestoj, kundërshtoj dhe nuk afirmoj mendimet e të tjerëve, atëherë përkufizimi “e përdalë” është i qëlluar. Unë jam e përdalë, madje e përdalë krenare.
Shoqëritë patriarkale konceptojnë lirinë e gruas përmes burrit. Burrat konsiderohen njerëz, ndërsa gratë janë diçka tjetër; femra, dytësore. Kështu, për të qenë gratë njerëz, duhet gjithmonë t’u binden burrave dhe të ndërveprojnë përmes tyre. Për të qenë një grua, ajo duhet t’i nënshtrohet burrit dhe ta nderoj atë në këmbim të një “jete më të mirë”.
Një “lavire” është kërcënim për strukturat shoqërore, sepse ajo nuk bindet dhe nuk nënshtrohet, një lavire dekonstrukton konstruktin e “gruas ideale” të patriarkatit që skllavërojnë ato dhe vlerat e tjera që e justifikojnë mbajtjen e gruas në pozitën që është. Një lavire, është dëshmia më e mirë se skllavërimi nuk duhet të ekzistojë dhe ngre pluhur mbi funksionimin e po këtyre strukturave. Për këtë arsye, një grua e tillë klasifikohet si devijante. Burrat e kategorizojnë atë si jonjerëzore dhe aspak si grua. Kjo është shtypja tjetër e shumëfishtë që përjeton një grua lavire. Laviret nuk janë të shtypura vetëm si gra, por shtypen edhe pse nuk janë “gra të mirëfillta”. Një lavire konsiderohet fanatike, sepse as burrat e as gratë nuk mund të përballen me realitetin e një lavireje, sepse një gjë e tillë do t’i detyronte ata të përballen me realitetin e tyre të korruptuar.
Laviret janë një shembull mjaft i mirë se çka do të thotë rezistenca. Nëse vetëm një herë ke ndje brenda vetës se diçka nuk është në rregull me krejt mënyrën se si po funksionon rrethi yt dhe kjo shoqëri e dhunshme për gratë, atëherë je një lavire. Nëse në momente të ndryshme je gjendur para situatave ku të është dashur që me dhunë të largosh nga vetja një burrë i cili të është afruar pa dashjen tënde, ke denoncuar ne polici për çfarëdo padrejtësie që të është bërë, ke refuzuar të konformohesh ndaj rregullave maskuline, atëherë je një lavire.
Dekonstruktimi i emërtimit lavire është thelbësor dhe i nevojshëm për të zhvlerësuar ndikimin negativ që ky përkufizim ka përcjellë gjatë gjithë kësaj kohe. Andaj, të bëhemi të gjitha lavire – lavire krenare – meqenëse këtë emërtim paska liria jonë.