Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Padrejtësia epistemike ndaj të mbijetuarave/ëve të dhunës seksuale

Vesa Gashi 8.9.2022

Dhuna seksuale konsiderohet si një “praktikë e ideologjisë seksiste (një strukture që organizon aktivitetet sociale përbrenda raporteve binare gjinore të dominimit dhe nënshtrimit) me sentimente patriarkale dhe te supermacisë mashkullore” (Hänel, 2018).  Në fushën epistemike, kjo ideologji kufizon veprimet dhe mjetet epistemike në të cilat subjektet kanë qasje për të interpretuar dhe kuptimësuar përvojat e tyre, posaçërisht nëse këto subjekte u përkasin grupeve të margjinalizuara që qëndrojnë në opozitë dhe të nënshtruara nga ajo. Këto kufizime dhe dëme epistemike, që sulmojnë një pjesë esenciale të të qenit njeri (prodhimin dhe shpërndarjen e dijes), konceptualizohen nga filozofja Miranda Fricker në “Epistemic Injustice: Power and the Ethics of Knowing” si padrejtësi epistemike.

Fricker përdorë këtë koncept për të përmbledhur “idenë që ne mund të diskriminohemi padrejtësisht në kapacitetin tonë si njohës për shkak të paragjykimeve sistematike që sundojnë dhe përndjekin identitetin tonë (qoftë ai racorë, klasor, gjinorë, etnik, seksual etj.) nëpër të gjitha sferat e jetës sociale.

Në formën e vet më të zakonshme, padrejtësia epistemike zhvillohet në nivelin ndërpersonal – gjatë shkëmbimeve testimoniale mes dy ose më shumë subjekteve në të cilat perspektiva dhe përvoja e anëtarëve të grupeve të margjinalizuara hasin në shpërfillje, papranueshmëri, sfidim dhe/ose etiketime negative mbi kapacitetet e tyre njohëse. Kjo ndodh pasi që “gjatë këtyre shkëmbimeve ne angazhohemi automatikisht në procesin mental të vlerësimit të kredibilitetit të folësit” (Saville, 2014). Ky proces vlerësimi, duke qenë fillimisht i pavetëdijshëm, mbështetet në një seri të shkurtesave mentale, që Walter Lippman i ka emëruar “skema” ose “stereotipe”, e të cilat konsiderohen nga Fricker si porta hyrëse për “depërtimin e paragjykimeve në gjykimet tona” (Fricker, 2007).

Stereotipet e ngritura mbi fakte të vërteta dhe verifikuara janë resurse të nevojshme racionale për të gjykuar të tjerët; ato bëhen të rrezikshme vetëm kur ngriten mbi fakte të pavërteta dhe paragjykime. Shumica e stereotipeve rreth grupeve historikisht të margjinalizuara, si gratë, kanë përmbajtje paragjykuese dhe zhvlerësuese (veçanërisht në raport me kompetencën dhe besueshmërinë e tyre), duke ruajtur status quo. Nga ky trend nuk përjashtohet as ideologjia seksiste, që  “funksionon me ndihmën e një rrjeti të gjerë të stereotipeve paragjykuese sociale, si mitet e përdhunimit, që normalizojnë dhe justifikojnë praktikat sociale seksiste” (Hänel, 2018).

Ato klasifikohen në tri kategori: “mite që mohojnë ekzistencën e përdhunimit ose fushëveprimin e problemit; mitet që justifikojnë sjelljen e përdhunuesit; dhe mitet që mohojnë që përdhunimi është krim serioz” (Hall, Howard, & Boezio, 1986).

Përvoja jonë me dhunën seksuale, sipas Linda M. Alcoff, është “e konstruktuar historikisht dhe diskurisivisht nga ideologjia seksiste në të cilën lindim, e e cila na detyron që të socializohemi brenda kulturës së përdhunimit” (Alcoff, 2018). Andaj, nën petkun e miteve të përdhunimit që maskojnë interpretimet adekuate dhe ofrojnë shpjegime alternative, të deformuara dhe stigmatizuese, ne në shumicën e rasteve nuk arrijmë të bëjmë intelegjibile përvojat dhe veprimet tona në relacion me dhunën seksuale dhe veprojmë në funksion të dyshimit strukturor mbi kredibilitetin e të mbijetuarve, duke promovuar stereotipin që gratë (si të prekurat primare të këtij fenomeni) janë joracionale dhe emocionale, ndërsa burrat janë racional dhe joemocional. Në njërën anë shoqëria dëshiron që gratë të jenë tërheqëse, të pëlqyeshme dhe ngrohta, duke u ofruar vetëm një gamë të ngushtë të strategjive komunikative për të mbrojtur kredibilitetin e tyre dhe për të kontribuar në burimet kolektive të dijes, e në anën tjetër këto tipare mbrojnë idenë që gratë janë më pak të besueshme dhe përgjegjëse edhe kur ato komunikojnë me saktësi dhe sinqeritet. Rrjedhimisht, dëmet epistemike janë një kategori e rëndësishme dhe veçantë e dëmeve që përjetohen nga të mbijetuarat/it e dhunës seksuale dhe janë një arsye e fuqishme prapa burgosjes se kuptimit të dhunës seksuale në një koncepcion të ngushtë të akteve që nuk mund të justifikohen as nga ideologjia seksiste.

Dëshmia, edhe pse jo një burim primar, është një ndër burimet kryesore të dijes. Ajo po ashtu luan një rol themelor në rimëkëmbjen e një subjekti pas një përvoje traumatike. Sipas Susan Briston, “rrëfimi është një proces i risubjektivizimit, gjatë të cilit të mbijetuarat/it e traumave zhvendosin veten nga statusi i një objekti në atë të një subjekti” (Brison, 1999). Edhe Debra L. Jackson argumenton që për shkak se “uni është racional, rrëfimi i një përvoje nuk mund të jetë monologjik, por duhet të dëgjohet dhe pranohet nga të tjerët” (Jackson, 2018). Kur “paragjykimet mbi identitetin e folësit e shtyejnë dëgjuesin që të vlerësojë me më pak kredibilitet dëshminë e folësit, sesa që ky i fundit meriton” ne kemi të bëjmë më padrejtësinë epistemike testimoniale (Fricker, 2007).

Ne kryejmë padrejtësi testimoniale kur, për shkak të stereotipeve gjinore dhe miteve të përdhunimit, u përcaktojmë të mbijetuarve të dhunës seksuale a priori një shkallë të ulët të kredibilitetit në raport me dëshminë e tyre. Skepticizmi i paarsyshëm ndaj dëshmive të të mbijetuarave/ve vë në lëvizje një cikël vicioz të degradimit të mëtutjeshëm të tyre si subjekte sociale, që rezulton në destabilizimin dhe izolimin e mëtutjeshëm të tyre. Sipas Deborah Epstein dhe Lisa Goodman, “ky proces i ritraumatizimit të të mbijetuarave/ve të dhunës seksuale i shtyen ato/a që të shfaqin më shumë sjellje emocionale, që konsiderohen si konfirmime të etiketimit të dëshmive të tyre si jo-kredibile” (Epstein & Goodman, 2019).

Dori Laub thekson që “mungesa e një dëgjuesi empatik ose një tjetri që mund të dëgjojë ankthin e kujtimeve tona dhe ta afirmojnë atë, asgjëson historinë tonë” (Laub, 1992). Një dëshmi duhet të njihet dhe pranohet për të përmbushur qëllimin e vet – të përcjell dije tek të tjerët. Nënvlerësimi i një personi në kapacitetin e tyre si ofrues të njohurive është nënvlerësim i kapacitetit të tyre për të arsyetuar.

Ndër vitet e fundit vëmendje të madhe publike ka marr termi dhe përvoja e “gaslighting”. Kate Abramson definon “gaslighting” si “një formë të manipulimit emocional përmes së cilës kryesi nxit (me ose pa vetëdije) viktimën që të besojë që reagimet, perceptimet, kujtimet dhe/ose besimet e tyre janë jo vetëm të gabuara, por edhe thellësisht të pabaza” (Abramson, 2014). Për filozofen Rachel McKinnon, ky fenomen paraqet një formë specifike të padrejtësisë testimoniale, “që instrumentalizon dyshimin e subjektit njohës ndaj kapaciteteve të veta epistemike” (McKinnon, 2017), deri në pikën që ata shtyhen të dyshojnë në aftësinë e tyre për të qenë të pavarur. Sarah Clark Miller argumenton që “ngacmuesit dhe/ose përdhunuesit seksual përdorin taktika të ‘gaslighting’ për fituar kontroll mbi viktima e tyre dhe për të mbrojtur veten”  (Miller, 2019). Nga aspekti social, manipulimi i ndjenjës së realitetit të anëtarëve të grupeve të margjinalizuara vepron në funksion të ruajtjes dhe rritje së dominimit të grupeve në pushtet. Për Paige L. Sweet, “‘gaslighting’ operon përmes eksploatimit të cenueshmërisë sociale të individëve në marrëdheniet e tyre personale dhe asocimit të dëshmive dhe veprimeve të tyre me joracionalitet të feminizuar në funksion të mohimit të perspektivave të tyre” (Sweet, 2019).

Mungesa e një dëgjuesi që vlerëson në mënyrë adekuate kapacitetet tona epistemike nuk është e vetmja sfidë me të cilën përballen subjektet e grupeve të margjinalizuara. Që ne të shprehim përvojat tona dhe ndikimin e tyre, ne kemi nevoje për burime hermeneutike përmes së cilave mund të shprehim ato korrektësisht. Por, këto resurse interpretuese nuk janë gjithnjë të qasshme – në ca raste për shkaqe rrethanore që janë jashtë duarve tona, e në ca tjera si rezultat i paragjykimeve sistematike ndaj aftësive të grupeve të caktuara për të interpretuar realitetin.

Sipas Jennifer Ware “resurset interpretuese që janë në dispozicion janë të formuara nga dhe për përvojën e grupeve me pushtet social” (Ware, 2020), që shpjegon pse përvojat (sidomos ato negative) e individëve dhe grupeve të margjinalizuara në rastin më të mire shtrembërohen nga të kuptuarit kolektiv, e në rastin më të keq nuk arrijnë të bëhen fare intelegjibile. Kur një subjekt social “vendoset në disavantazh të padrejtë në raport me kuptimësimin e përvojave personale, për shkak të një boshllëku ekzistues në burimet kolektive hermeneutike, ajo/ai është viktimë e padrejtësisë hermeneutike” (Fricker, 2007).

Njëri ndër shembujt kryesor që përdorë Fricker për të shpjeguar padrejtësinë hermeneutike është historia e Carmita Wood, “e cila gjatë viteve 1960-1968 kishte punuar në Universitetin Cornell, derisa u detyrua të linte punën nga stresi i ngacmimit seksual që përjetonte nga një ndër profesorët. Kërkesa e saj për sigurim të papunësisë nuk ishte aprovuar pasi që asaj dhe shoqërisë së kohës i mungonte koncepti i duhur për të përshkruar përvojën që kishe kaluar si diskriminim gjinorë. Predikamenti në të cilën Wood e kishte gjetur veten, e kishte shtyer atë dhe ca hulumtuese të tjera të Universitetit Cornell që në vitin 1975 të fusnin termin ‘ngacmim seksual’ në diskursin amerikan” (Fricker, 2007). Për Fricker, boshllëku interpretues me të cilin ishte përballur Wood “nuk ishte rastësor, por ishte rezultat i përjashtimit sistematik të grave nga pjesëmarrja e barabartë në fushat që kontribuojnë në resurset kolektive hermeneutike” (Fricker, 2007). Nga ana tjetër, Laura Beeby cek që “padrejtësia hermeneutike dëmton jo vetëm viktimën e dhunës seksuale, por edhe kryesin” (Beeby, 2011), edhe pse ky dëm bartet asimetrikisht – njëra palë privohet nga të kuptuarit dhe interpretuarit e një përvoje të rëndësishme për ta, ndërsa pala tjetër i shpëton përgjegjësisë (të paktën publike). Charles Mills kap këtë problematikë në mënyrë të përmbledhur, kur shkruan që: “Problemi nuk gjendet tek një keqkuptim ose hendek i pafajshëm, por tek një keqkuptim organikisht dhe materialisht të gjeneruar nga perspektiva mashkullore mbi botën, e motivuar nga intereset e grupit të tyre dhe e mbështetur fenomenologjikisht në përvojën e tyre”  (Mills, 2007).

Padrejtësia hermeneutike nuk ndodh vetëm kur në burimet kolektive mungon ndonjë koncept, por edhe kur konceptet e nevojshme ekzistojnë por janë shtrembëruar nga perspektiva të gabuara. Një rast i tillë është vet koncepti i dhunës seksuale – ky koncept ekziston, por “gjatë shumicës së kohës operon si i shtrembëruar dhe kufizuar nga mitet e përdhunimit” (Jenkins, 2016). Një person që mendon që përdhunimi është krim që kryhet vetëm nga një i panjohur dhe që gjithnjë përfshinë dhunë fizike, nuk do arrij ta kuptojë në mënyrë korrekte një përvojë të dhunës seksuale që mund t’i kryhet nga partneri i saj/tij.

Kristen Dotson zhvillon më tutje teorinë e Fricker, duke prezantuar një formë të tretë të padrejtësisë epistemike – ngufatjen testimoniale, që e sheh si “një strategji për të shtyer anëtarët e grupeve të margjinalizuar në heshtje” (Dotson, 2011). Sipas saj, kjo padrejtësi ndodh kur “folësi limiton dëshminë e saj/tij vetëm në përmbajtje për të cilat audienca e tyre tregon kompetencë testimoniale, për shkak të rrezikut nga padrejtësia hermenutike dhe testimonial që mund t’i kanoset përmbajtjes së plotë të dëshmisë së tyre” (Dotson, 2011). Individët, si të mbijetuarat/it e dhunës seksuale, zgjedhin që të mos raportojnë por të heshtin rreth padrejtësive që përjetojnë, për t’u mbrojtur nga pasojat e mundshme negative sociale, ekonomike, politike dhe ndërpersonale, dhe zgjedhja e tyre rezulton në një humbje kolektive.

Nëse njerëzve vërtetë u mungojnë mjetet adekuate për të kuptuar korrektësisht përvojat e tyre dhe të të tjerëve, duke i shtyer kështu që të bëhen kryes ose viktima të padrejtësisë epistemike, atëherë strategjia e rrëfimit të historive nga anëtarët e grupeve të margjinalizuara paraqet një qasje premtuese për ndërgjegjësimin dhe përmirësimin e tyre. Rrëfimi i historive është një strategji që është shfrytëzuar nga lëvizjet kundër dhunës seksuale që nga fillimi i tyre, me lëvizjen “Me Too” duke qenë shprehja e fundit e këtij trendi. Por, edhe pse lëvizjet që instrumentalizojnë këtë strategji kanë synime të admirueshme, ato bartin edhe rreziqet e veta, kryesori ndër të cilët është rreziku nga eksploatimi epistemik i të mbijetuarave/ve. Rritja e vetëdijes sociale përmes rrëfimeve kërkon një investim të thellë emocional nga ana e të prekurve – nga ta kërkohet që të diskutohen disa nga përvojat më traumatike të jetës së tyre, për të bindur të tjerët që ato janë reale dhe të denja për vëmendje dhe aksion. Ky angazhim epistemik i personave të margjinalizuar merr formën e detyrimit të dyfishtë – nëse ata nuk angazhohen, atëherë ata etiketohen si bashkëpunëtorë të shtypjes së tyre; ndërsa nëse angazhohen ata eksploatohen epistemikisht, duke konsideruar faktin që angazhimi i tyre rrallë kompensohet ose vlerësohet sa duhet, edhe pse është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë në tërësi.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp