Publikimi i fundit i UN Women, “Gratë si lidere politike 2025”, tregon se udhëheqja politike e grave në pozitat ekzekutive jo vetëm që po stagnon, por po shkon drejt regresit. Përfaqësimi i pamjaftueshëm i grave si drejtuese të shteteve apo qeverive dëshmon barrierat e shumta me të cilat përballen gratë si dhe pabarazi në lidershipin politik.
Aktualisht, vetëm 27 shtete kanë në krye të shtetit apo qeverisë një lidere grua. Derisa kjo shënon një rritje e vogël nga 21 vende pesë vite më parë, 103 vende të tjera nuk kanë pasur kurrë një grua që udhëheq ekzekutivin.
Po ashtu, gratë zënë vetëm 22.9% të pozitave ministrore në nivel global, një rënie nga 23.3% në vitin 2024, duke shënuar kështu rënien e parë të regjistruar të numrit të ministreve gra, shkruan UN Women.
Numri i kabineteve me përfaqësim të barabartë ka rënë nga 15 vende në vitin 2024 në vetëm 9 në vitin 2025. Në të njëjtën kohë, numri i vendeve pa asnjë grua ministre është rritur nga 7 në 9 brenda një viti.
Rajone si Evropa dhe Amerika e Veriut (31.4%) si dhe Amerika Latine dhe Karaibet (30.4%) udhëheqin në nivel global përfaqësimin e grave në kabinete, ndërkohë që Azia Qendrore dhe Jugore mbeten shumë prapa me vetëm 9%.
“Bota po përjeton një regres të grave në pozita të udhëheqjes politike pikërisht në momentin kur kemi më së shumti nevojë për gjithëpërfshirje në vendimmarrje”, tha Sima Bahous, drejtore ekzekutive e UN Women.
Rënia e përfaqësimit po ndodh si rezultat i reagimit global kundër të drejtave të grave, i përforcuar nga dhuna e përhapur ndaj grave në politikë, si në internet ashtu edhe jashtë tij. Kjo dhunë, që shtrihet si në hapësirat publike ashtu edhe në platformat digjitale, i dekurajon shumë gra nga hyrja ose vazhdimi në karrierën politike, duke minuar barazinë gjinore në përfaqësim.
Burrat mbajnë në mënyrë dërrmuese pozitat ministrore që përcaktojnë prioritetet kombëtare dhe globale, si siguria (87%), çështjet financiare dhe fiskale (84%) dhe çështjet e jashtme (82%). Ndërkohë, gratë emërohen më shpesh në pozita që lidhen me barazinë gjinore (87%) dhe çështjet rreth familjes dhe fëmijëve (71%).
Situata përkeqësohet edhe më shumë nga rënia e numrit të ministrive për barazi gjinore, institucione kyçe për integrimin e barazisë gjinore në politikat dhe veprimet e qeverisë. Në vitin 2020, kishte rreth 80 ministri të tilla, numër që ka rënë në 76 në vitin 2024 dhe 74 në vitin 2025.
Publikimin e plotë e gjeni këtu.