Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Viktima e hakmarrjes pornografike në Teksas dëmshpërblehet me 1.2 miliardë dollarë

QIKA 16.8.2023

Një gjykatë në Teksas merr vendim që një grua e cila ishte viktimë e pornografisë hakmarrëse të dëmshpërblehet  me 1.2 miliardë dollarë.

Gruaja, e cila në dokumentet gjyqësore u emërua vetëm me inicialet D.L., ngriti një padi për ngacmim kundër ish-partenrit të saj në vitin 2022. Padia pretendonte se ai pas ndarjes me D.L. postoi foto intime të saj në internet për ta “turpëruar publikisht”.

Avokatët e saj fillimisht kishin kërkuar dëmshpërblim prej100 milionë dollarëve. “Shpresojmë që shuma marramendëse e këtij vendimi të dërgojë mesazh dhe të parandalojë të tjerët të përfshihen në këtë aktivitet të neveritshëm”, tha z. Gilde, avokati kryesor i rastit.

Sipas dokumenteve të gjykatës, D.L. kishte ndarë foto intime të saj me të pandehurin gjatë lidhjes. Pas ndarjes në vitin 2021, ai akuzohej se i ka postuar fotot në platformat e mediave sociale dhe i ka dërguar ato tek të afërmit e viktimës.

I pandehuri poashtu dyshohet se i dërgoi gruas një mesazh ku shkruhej: “Ti do ta kalosh pjesën tjetër të jetës duke u përpjekur e duke dështuar të fshish veten nga interneti. Të gjithë personat që do takoni do ta dinë historinë dhe do të gjejnë fotot.”

Sipas raporteve të mediave amerikane, i pandehuri nuk u paraqit në gjykatë dhe përfaqësohej nga një avokat. Pas vendimit, ai u urdhërua t’i paguante gruas 200 milionë dollarë për shkaktimin e ankthit mendor, si dhe 1 miliardë dollarë si dëmshpërblim.

Sipas një studimi nga Instituti i Kërkimeve të të Dhënave dhe Shoqërisë, në vitin 2016 rreth 10 milionë amerikanë raportuan se ishin viktima të hakmarrjes pornografike, ku shumë prej tyre janë gra të moshës 18 deri në 29 vjeç.

Të gjitha shtetet amerikane, me përjashtim të Massachusetts dhe Karolinës së Jugut, kanë ligje kundër hakmarrjes pornografike në fuqi.