Sipas raportit të qeverisë së Anglisë, abuzimi në familje ka shkaktuar një në gjashtë raste të të pastrehëve mes prillit dhe qershorit. Kurse të dhënat e javës së kaluar nga Departamenti për Nivelimin, Strehimin dhe Komunitetet tregojnë se nga 34,830 familje të vlerësuara gjatë këtij viti si të pastrehë, 5,590 ishin në atë pozicion për shkak të abuzimit në familje. Numri i rasteve që i atribuohen dhunës në familje ishte më i larti këtë vit krahasuar me vitet 2018 dhe 2019.
“Është e papranueshme që gratë të vihen në atë pozicion që duhet të zgjedhin midis qëndrimit me dhunuesin ose të mbesin të pastreha apo të kenë strehim të pasigurtë dhe të papërshtatshëm,” tha Sarah Davidge nga shoqata bamirëse Women’s Aid.
Hulumtimi nga Women’s Aid vitin e kaluar ka zbuluar se shumica e grave që jetonin me dhunuesin, raportuan se abuzimi ishte përkeqësuar gjatë pandemisë, ku çdo e pesta grua ishte ndjerë e detyruar të largohej nga strehimi (shtëpia) ose nga hapësirat e strehimit, raporton Guradian.
Polly Neate, shefe ekzekutive e Shelter, tha: “Është fakt që të copëton zemrën dhe i turpshëm të shohësh numrin e njerëzve të pastrehë si rezultat i abuzimit në familje në nivelin më të lartë të regjistruar. Ata/ato që ikin nga marrëdhëniet abuzive kanë nevojë për shtëpi të përshtatshme, të përballueshme dhe të sigurta, por të gjithë po zhgënjehen mjerisht nga urgjenca e strehimit.”
Ndërsa një zëdhënës nga qeveria tha se: “Ne po investojmë miliona në shërbime jetike për të mbështetur viktimat e abuzimit në familje, kështu që ata që largohen nga shtëpia e tyre të kenë një vend të sigurt për të shkuar. Kjo është së bashku me një pilot projekt prej 4.2 milion funta, duke ofruar strehim dhe mbështetje të sigurt për viktimat në rrezik të strehimit.”