Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vrasja e një adoleshenteje në Pakistan rikthen debatin për sigurinë e grave

QIKA 30.9.2025

Një gjykatë në Pakistan ka ngritur aktakuzë ndaj Umar Hayat, 22 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e influenceres 17-vjeçare Sana Yousaf.

Yousaf u vra në qershor brenda shtëpisë së saj, pasi kishte refuzuar disa herë propozimet e Hayat. Policia e përshkroi ngjarjen si një “vrasje të egër dhe të ftohtë”, duke thënë se i akuzuari hyri në banesë, e qëlloi me armë dhe më pas u arratis, raporton Al Jazeera.

Në seancën e së shtunës në Islamabad, Hayat, gjithashtu përdorues aktiv i TikTok-ut, u deklarua i pafajshëm: “Të gjitha akuzat ndaj meje janë të pabaza dhe të rreme,” tha ai para gjykatësit Muhammad Afzal Majoka. Seanca e radhës do të mbahet më 25 shtator, kur pritet të dëgjohen dëshmitarët dhe të përcaktohen zyrtarisht akuzat.

Vrasja e Sana Yousaf ngjalli indinjatë të gjerë në Pakistan dhe hapi edhe një herë debatin mbi sigurinë e grave. Disa komente online, përveç ngushëllimeve, fajësuan viktimën, duke reflektuar normat patriarkale që shpesh justifikojnë dhunën ndaj grave. Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Pakistan thekson se dhuna ndaj grave është e përhapur dhe rastet e sulmeve pas refuzimeve të martesës nuk janë të rralla.

Ky rast sjell ndërmend edhe vrasjen e vitit 2021 të Noor Mukadam, e cila u ekzekutua brutalisht nga partneri i saj pas një refuzimi, duke shkaktuar atëherë protesta mbarëkombëtare.