Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vrasja e një gruaje nxit kryengritje në Kuvajt

QIKA 28.4.2021

Farah Hamza Akbar u vra në Kuvajt javën e kaluar pavarësisht kërkesave të mëparshme nga familja e saj drejtuar autoriteteve për ta mbrojtur atë nga ngacmuesi i saj.

“Ne ju thamë se ai do ta vriste dhe ai vrau motrën time! .. Ku është qeveria?” bërtiti Dana Akbar nga hidhërimi pasi dëgjoi lajmin e hidhur për vrasjen e motrës së saj.

Ministria e Brendshme deklaroi se një burrë kishte kapur Farah Akbar nga makina e saj dhe e kishte dërguar atë në një vend të panjohur dhe pastaj e la të vdekur në oborrin e spitalit. Ai u arrestua pak më vonë dhe rrëfeu se e kishte goditur me thikë në gjoks. Tani ai akuzohet për vrasje të shkallës së parë e cila në Kuvajt dënohet me vdekje, raporton BBC.

Kjo vrasje ka shtuar thirrjet për mbrojtje më të madhe të grave nga dhuna dhe ngacmimet në Kuvajt. Në fillim të këtij viti, fushata #Lan_ Asket (Nuk do të Hesht) filloi për të vënë në pah çështjen e ngacmimit që po shkakton incidente të panumërta për gratë.

Pas vrasjes së Farah Akbar, gra dhe burra u mblodhën për të shprehur mllefin e tyre në Sheshin Irada, afër Asamblesë Kombëtare, ku një parlament i përbërë krejtësisht nga burrat u zgjodh në dhjetor të vitit të kaluar.

Zërat të cilët deri vonë kanë qenë të nën-përfaqësuar në dialogun për të drejtat e grave, të inkurajuar nga anonimati që u siguron media sociale, kanë filluar të shfaqen në hapësirën virtuale.

Feministët në Kuvajt drejtohen nga një grup grash nga mazhoranca konservatore beduine. Kur bëhet fjalë për mbrojtje nga ngacmimet dhe dhuna, grupi bie dakord për nevojën e ligjeve për të mbrojtur gratë më mirë. Ata thonë se të gjitha gratë e Kuvajtit përballen me vështirësi në raportimin e kërcënimeve. Grupi poashtu tregon se gratë fisnore kanë më pak të ngjarë të gjejnë mbështetje dhe se ankesat e tyre shikohen nga autoritetet si çështje familjare. “Problemi i gruas beduine në Kuvajt fillon brenda familjes sepse fisi është një shtet brenda një shteti,” tha një anëtar i grupit.

Avokatja dhe aktivistja Omneya Ashraf thotë se megjithëse nuk ka pasur eksperiencë me kërcënime personale, ajo përmes punës së saj sheh rreziqet me të cilat përballen gratë në shoqërinë e saj. “Vetëm për shkak se unë, miqtë e mi dhe familja ime po jetojmë në siguri, kjo nuk do të thotë që të gjitha gratë janë të sigurta. Çështja e Farah filloi me ngacmime dhe përfundoi me vrasje. Në këtë mënyrë e dimë se një grua nuk është e sigurt”, deklaroi ajo.