Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vritet një aktiviste e të drejtave të grave në veri të Afganistanit

QIKA 9.11.2021

Një pedagoge e ekonomisë dhe aktiviste 29 vjeçare, Frozan Safi, është qëlluar për vdekje në veri të Afganistanit. Kjo duket të jetë vdekja e parë e njohur e një mbrojtëseje të të drejtave të grave që kur talebanët erdhën në pushtet pothuajse tre muaj më parë.

Trupi i Frozan Safit u identifikua në një morg në qytetin Mazar-i-Sharif pasi ajo u zhduk më 20 tetor. “Ne e njohëm atë nga rrobat e saj. Plumbat ia kishin shkatërruar fytyrën”, tha Rita, motra e Safit. “Kishte plagë plumbash gjithandej, madje shumë për t’u numëruar, në kokën, zemrën, gjoksin, veshkat dhe këmbët e saj. Asaj poashtu i ishin marrë unaza e fejesës dhe çanta”, shtoi Rita.

Që nga mesi i gushtit, gratë kanë mbajtur protesta të rregullta mbarëkombëtare kundër talebanëve, duke kërkuar që të rikthehen dhe mbrohen të drejtat e tyre. Vajzat de facto janë të ndaluara nga shkollimi i mesëm, qeveria e re është e përbërë vetëm nga burrat dhe grave u janë ndaluar shumica e sporteve dhe punës.

Human Rights Watch tha se rregullat e talebanëve po ndalonin shumicën e grave që të operonin si punonjëse ndihmash në vend, duke përshpejtuar kështu një fatkeqësi humanitare. Aktivistët thonë se ata po ndiqen nga talebanët, të cilët kanë përsosur mënyra për të infiltruar dhe frikësuar grupet e grave.

Nga fundi i muajit të kaluar, Frozan mori një telefonatë nga një numër anonim, duke i thënë asaj të mblidhte prova për punën e saj si mbrojtëse e të drejtave të grave dhe të strehohej në një shtëpi të sigurt. “Frozan besonte se kërkesa e saj për azil në Gjermani ishte në proces. Ajo futi disa dokumente në një çantë, përfshirë diplomën e saj të universitetit, hodhi një shall bardh e zi mbi kokë dhe u largua nga shtëpia”, tha Rita.

Ajo ishte e kujdesshme që të mos drejtonte menjëherë gishtin nga talebanët. “Ne thjesht nuk e dimë se kush e vrau atë”, tha Rita.

Ekstremistët kanë udhëhequr një sulm kryesisht të dhunshëm ndaj disidencës, duke rrahur gratë me shkopinj elektrik dhe duke ndaluar e torturuar gazetarët që mbulojnë protestat mbarëkombëtare nga gratë që kërkojnë të drejtat e tyre.