Sot, është dënuar Zoran Vukotiq me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë nga gjykatat vendore.
Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe Torturës (QKRMT) ishte inicuese e rastit duke bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale dhe viktimën.
“Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.
QKRMT përmes shërbimeve rehabilituese që ofron, ka fuqizuar të mbijetuarën në kërkesën e saj për drejtësi, si dhe ka iniciuar rastin. Gjithashtu, QKRMT ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe me vetë viktimën. Përveç ofrimit të rregullt të shërbimeve psiko-sociale, QKRMT ka asistuar dhe mbështetur viktimën në të gjitha etapat e procesit hetues dhe gjyqësor”, thuhet në komunikatën e QKRMT.
Megjithatë, QKRMT konsideron që dënimi prej 10 vjetësh është i ulët, dhe do të angazhohet në të gjitha hallkat e drejtësisë që Zoran Vukotiq të marrë dënimin maksimal.