Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se rreth 4.4 milionë vajza rrezikohen nga gjymtimi gjenital femëror (FGM) këtë vit, teksa bëri thirrje për ndërmarrjen e veprimeve për të eliminuar këtë shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut e për t’u dhënë më shumë zë të mbijetuarave.
“Edhe një gjymtim është shumë”, tha Guterres në mesazhin e tij për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës Zero për Gjymtimin Gjenital të Femrës (FGM), e cila shënohet çdo vit më 6 shkurt.
OKB vlerëson se në nivel global, 200 milionë gra dhe vajza i janë nënshtruar ndonjë forme të FGM-së, e cila nënkupton heqjen ose lëndimin e organeve gjenitale femërore të jashtme për arsye jo mjekësore, raporton UN News.
Shefi i OKB-së u kërkoi vendeve që të dyfishojnë përpjekjet dhe investimet për të mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave dhe për t’i dhënë një fund FGM-së njëherë e përgjithmonë. “Kjo fillon me sfidimin e strukturave dhe qëndrimeve të pushtetit patriarkal në rrënjë të kësaj praktike të neveritshme. Ne duhet të përforcojmë zërat e të mbijetuarve dhe të mbështesim përpjekjet e tyre për të rifituar jetën bazuar në autonominë e tyre trupore,” shtoi ai.