Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

43 gra padisin organizatën katolike Opus Dei në Argjentinë për shfrytëzim dhe abuzim sistematik

QIKA 22.4.2025

Një grup prej 43 grave në Argjentinë kanë paditur Opus Dei, një organizatë ultra-konservatore katolike, për shfrytëzim sistematik, abuzim dhe trajtim çnjerëzor, duke përfshirë rekrutimin e vajzave të mitura nga familjet e varfra dhe duke i detyruar të jetojnë në kushte skllavërie, punë të detyruar, kontroll ekstrem dhe abuzim psikologjik.

Sipas dëshmive, vajzat ishin rekrutuar si të mitura, kryesisht nga zona të varfra, me premtimin për arsim dhe shpëtim nga varfëria. Në realitet, ato u zhvendosën në ambiente të izoluara të Opus Dei, ku iu imponua një jetë e rreptë e bindjes, punës shtëpiake, heshtjes dhe nënshtrimit.

“Ata më thanë se do të studioja dhe do të përparoja. Mendova se nëse shkollohem, do të mund të ndihmoj familjen time”, thotë Andrea Martínez, 50 vjeç. “Por unë u bëra skllave. Ata më trajtuan si skllave, pa asnjë aftësi për të menduar apo vepruar.”

Martínez, së bashku me dhjetëra gra të tjera në Argjentinë, ka akuzuar Opus Dei, e cila ka seli në më shumë se 70 vende, por është më e fortë në Spanjë, Itali dhe Amerikën Latine, se i detyroi ato si fëmijë dhe adoleshente në një jetë robërie shtëpiake.

Ato thonë se janë detyruar të punojnë rreth 12 orë në ditë, duke gatuar dhe pastruar për anëtarët e elitës, pa pagesë.

Gratë thonë gjithashtu se u përballën me kontroll ekstrem, letrat e tyre u censuruan dhe u ndaluan të lexonin çdo gjë përveç librave për fëmijë ose teksteve fetare. Mohimi i kërkesave për të kaluar Krishtlindjet me familje apo për të marrë pjesë në funeralin e ndonjë familjari ishin arsyetuar si “flijim për Zotin”.

Edhe kur u arratisën, gratë thonë se mbetën pa para, pa rroba apo kualifikime, shkruan The Guardian.

Martínez thotë se ajo kaloi 10 vjet me Opus Dei para se të arratisej. Kur ajo u largua, ajo kishte vetëm 10 pesos (ekuivalente me disa dollarë), pa rroba normale dhe zbuloi se certifikatat arsimore që i kishte lëshuar nga Opus Dei nuk njiheshin.

“Unë nuk kisha marrë kurrë rrogë. Nuk dija të përdorja paratë, si të flisja me njerëzit. Isha 23 vjeçe, por sillesha si një fëmijë 12 vjeç,” thotë ajo.

Pas një hetimi dyvjeçar, prokurorët federalë argjentinas kanë marrë përsipër çështjen e tyre, duke akuzuar drejtuesit e lartë të Opus Dei në Amerikën e Jugut për mbikëqyrjen e shfrytëzimit dhe trafikimit të vajzave, adoleshentëve dhe grave midis 1972 dhe 2015. Raporti i prokurorëve është tani përpara një gjyqtari, i cili do të vendosë nëse do të vazhdojë gjykimin.

Prokurorët pretendojnë se Opus Dei (“Puna e Zotit” në latinisht) krijoi një strukturë të dedikuar për rekrutimin e vajzave nga familjet e varfra rurale, të cilat ata thanë se përfituan nga vulnerabiliteti i tyre ekstrem, dhe se të paktën 43 gra, shumica prej tyre vajza dhe adoleshentë, ishin detyruar në jetesë të krahasueshme me robërinë dhe të bllokuara në një cikël shfrytëzimi dhe abuzimi.

“Kishte mungesë të plotë të pagave të drejta dhe të të drejtave elementare, të gjitha nën pretekstin e përkushtimit dhe shpëtimit shpirtëror”, thonë prokurorët, të cilët kanë kërkuar që katër ish-krerë të Opus Dei në Argjentinë të thirren për t’u marrë në pyetje.

Opus Dei përmes një deklarate i ka mohuar akuzat duke thënë se “janë nxjerrë jashtë kontekstit”.