Gjatë vitit 2024, aplikacionet e të ashtuquajturave “të dashura virtuale” të krijuara me inteligjencë artificiale u shkarkuan mbi 100 milionë herë në mbarë botën. Sipas profesores së Universitetit të Dublinit, Debbie Ging, kjo dhe teknologji të tjera në zhvillim përbëjnë shkak serioz për shqetësim, veçanërisht për mënyrën se si ato mund të ndikojnë në perceptimin dhe sjelljen e burrave dhe djemve ndaj grave dhe vajzave.
“Ekziston një argument se kjo ka të bëjë me mësimin e djemve se si të ndërtojnë marrëdhënie. Por ajo që po bëjnë në thelb është abuzimi me to dhe testimi se deri ku mund të shkojnë me abuzimin verbal dhe forma të tjera të abuzimit. Të dashurat e bazuara në IA nuk thonë kurrë ‘jo’.”
Fakti që këto të dashura do të tolerojnë çdo lloj abuzimi, shpjegon Ging, është një “vendim i kodimit”, i marrë në një industri teknologjike që kryesisht ndërtohet nga burrat, raporton The Irish Times.
Gratë e gjeneruara me inteligjencë artificiale po krijohen, seksualizohen, pajisen me personalitete dhe pastaj po monetizohen online. Madje, burrat po u mësojnë burrave të tjerë se si t’i shndërrojnë ato në biznese fitimprurëse.
“Nënshtrimi i grave po përfshihet që në fazën e zhvillimit të një pjese të madhe të teknologjive të reja”, argumenton profesorja Ging.
“Edhe më shqetësuese, diçka që e zbulova së fundmi, është një tjetër aplikacion ku mund të komunikosh me chatbotë (një program kompjuterik që simulon bisedat njerëzore përmes tekstit ose zërit) dhe të luash role që përfshijnë akte të dhunshme dhe të paligjshme. Mund të hysh edhe në bordello ku punojnë vajza nën moshën 15 vjeç.”
Sipas hulumtimeve të saj, një nga sloganet më të përdorura nga këto platforma online është: “një botë pa feminizëm”.
Teknologjia e inteligjencës artificiale është bërë një nga mënyrat më të reja për të materializuar fantazitë dhe pritshmëritë që lidhen me gratë. Përmes IA-së, pamja, personaliteti, seksualiteti dhe sjellja e një gruaje mund të dizajnohen sipas dëshirave dhe pritshmërive të burrave. Por ndikimi i kësaj teknologjie shkon përtej personazheve fiktive. Kur miliona imazhe i paraqesin gratë si gjithmonë tërheqëse, seksualisht të qasshme, të bindura dhe të përshtatura në mënyrë të përsosur ndaj dëshirave të burrave, këto përfaqësime mund të ndikojnë në mënyrën se si burrat i perceptojnë gratë dhe në pritshmëritë që krijohen ndaj tyre edhe në jetën reale, duke rrezikuar të normalizojnë dhe ngurtësojnë tutje standarde jorealiste dhe marrëdhëniet e pabarabarta mes burrave dhe grave.