Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Numri i grave të vrara në zonat e luftës u dyfishua në vitin 2023

QIKA 28.10.2024

Sipas raportit vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i udhëhequr nga UN Women, përqindja e grave të vrara në zonat e luftës u dyfishua në vitin 2023, duke përbërë 40% të të vrarëve.

Ky raport, i cili shqyrton situatën e sigurisë për gratë dhe vajzat e prekura nga lufta, thotë se rastet e dhunës seksuale të lidhura me konfliktin u rritën me 50% në vitin 2023 krahasuar me rastet e vitit 2022, raporton The Guardian.

“Gratë vazhdojnë të jenë më të prekurat nga luftërat e nisura nga burrat”, tha Sima Bahous, drejtore ekzekutive e UN Women.

Pavarësisht zotimeve të bëra ndër vite për t’iu siguruar grave pjesëmarrje të plotë në çështje të sigurisë dhe paqes, burrat janë kryesisht ata që mbajnë pushtetin ushtarak dhe politik, kurse gratë përbënin më pak se 10% të negociatoreve në proceset e paqes në vitin 2023. Në raport të UN Women thuhet se pavarësisht kësaj, sipas studimeve, marrëveshjet e paqes zgjasin më shumë dhe implementohen më mirë kur janë të përfshira gratë.

Megjithatë, mungesa e financimit është problemi kryesor në realizimin e premtimeve për gratë, paqen dhe sigurinë. Në vitin 2023, globalisht janë shpenzuar 2.44 trilion dollarë për shpenzime ushtarake, për dallim prej financimit të organizatave dhe lëvizjeve që mbështesin të drejtat e grave me një mesatare vetëm 0.3% të totalit të ndihmave vjetore.

Sipas raportit, përfshirja e grave në paqe dhe siguri do të bëhet realitet vetëm përmes rritjes së financimit dhe duke ndërmarrë veprime të guximshme politike.