Irani ka njoftuar se planifikon të hapë një klinikë trajtimi për gratë që kundërshtojnë ligjet për mbajtjen e detyrushme të hixhabit, përderisa arrestimet për shkeljen e kodit të veshjes po shtohen çdo ditë.
Hapja e kësaj klinike u paralajmërua nga Mehri Talebi Darestani, udhëheqëse e Departamentit të Grave dhe Familjes në Shtabin e Teheranit për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve. Sipas saj, klinika për trajtimin e heqjes së hixhabit do të ofrojë “trajtim shkencor dhe psikologjik” për gratë që nuk respektojnë kodin e ashpër të veshjes.
Ky njoftim është pritur me zemërim dhe kritikuar nga gratë dhe grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Iran, shkruan The Guardian.
Sima Sabet, gazetare iraniane me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ishte objektiv i një atentati iranian vitin e kaluar, tha se masa është e turpshme, ndërsa avokuesi për të drejtat e njeriut Hossein Raeesi tha se ideja e një klinike për të trajtuar gratë që nuk respektojnë ligjet e hixhabit nuk është as islame dhe as nuk është në përputhje me ligjin iranian, teksa shprehu shqetësimin se “ishte alarmante që deklarata erdhi nga Departamenti i Grave dhe Familjes i Shtabit të Teheranit për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, i cili bie nën autoritetin e drejtpërdrejtë të liderit suprem, Ali Khamenei.”